Historiani rus Zorin: Putini një i burgosur i mitologjisë popullore që vetë ai shpiku

Evropë

Historiani rus Zorin: Putini një i burgosur i mitologjisë popullore që vetë ai shpiku

Nga: Marco Imarisio/Jak Simoni Më: 14 mars 2022 Në ora: 11:18
Andrei Zorin

Profesori në Universitetin e Oksfordit Andrei Zorin: për të Ukraina është simboli i BRSS të copëtuar dhe hakmerret se nuk e mbylli luftën e 2014

"Vladimir Putin është tani një i burgosur i mitologjisë popullore që ai vetë krijoi.

"Nuk është një ditë e zakonshme për Andrei Zorin, profesor në Universitetin e Oksfordit, autor i librave të shumtë mbi historinë e vendit të tij, duke përfshirë një biografi të rëndësishme të Tolstoit dhe një ese të titulluar "Periferia e Evropës", në të cilën ai shpjegon se si Rusia ka ndryshuar perceptimin e atyre tokave, si Ukraina, që e ndajnë atë nga kontinenti ynë. Biseda në Skype ndërpritet, kur Zorin merr telefonatën që ka pritur kaq gjatë. Gruaja dhe djali i tij sapo kanë mbërritur nga Moska me një nga fluturimet e fundit të disponueshme. “Këtë herë është një udhëtim me një drejtim. Na vjen keq që largohemi nga atdheu. Por nuk ka më kushte për të qëndruar”.

Profesor, për cilën mitologji e keni fjalën?

“Për habinë e madhe të të gjithëve ne, vitet e fundit Putini është kthyer në një historian amator, duke filluar të shkruajë ese mbi të kaluarën e Rusisë. Shumë e konsideruan të çuditshme, por ajo ishte një mënyrë për të krijuar konsensus dhe për të justifikuar një luftë të pamotivuar si kjo”.

Cilat janë pikat më të rëndësishme në historinë ruse sipas Putinit?

“Janë tre. E para: ju duam ju perëndimorëve, por jeni ju që na urreni. Prandaj, ne kemi të drejtë të mbrohemi. Një parim i përhapur gjerësisht përmes televizionit dhe brezave të rinj me libra shkollorë të rishikuar dhe korrigjuar në dritën e këtij supozimi”.

E dyta?

“Shndërrimi i humbjeve në fitore, ose në një premtim të fitores së ardhshme. Rrëfimi historik karakterizohet nga shndërrimi i mrekullueshëm i poshtërimeve në triumfe absolute. Kundër Polonisë në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kundër Napoleonit, kundër nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Ai ka zgjedhur ta kristalizojë këtë vizion, ta bëjë të përhershëm, duke krijuar një pritje të përjetshme hakmarrjeje”.

Për çfarë do të hakmerrej me pushtimin e Ukrainës?

“Kështu tha vetë. Në këtë kuptim është tërësisht në përputhje me pikëpamjen e tij të shtrembëruar. Hakmarrja është e dyfishtë. Për shpërbërjen e BRSS, të cilën ai e konsideron një tragjedi absolute, jo një çlirim, por një poshtërim, dhe për dështimin për të përfunduar luftën e 2014, e cila nuk u përfundua për fajin e Perëndimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat