Zelensky kërkon nga Belgjika ndihmë me armë, sanksione e anëtarësim në BE
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i kërkoi sot qeverisë belge të ndihmojë me armë, sanksione dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “ndoshta së shpejti e ardhmja do t'ju shpaguajë”.
Zelensky tha se paqja në Ukrainë vlen “më shumë se çdo traktat me Rusinë, çdo anije ruse në portet evropiane dhe çdo fuçi naftë ruse”.
“Duhet të dimë se Ukraina do të jetë në BE, sepse nëse jemi ne, ata do të humbasin. Por nëse humbim, nëse humbim Mariupolin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, nuk do të ketë më një BE të fortë, pasi tirania do të vijë dhe do t'ju heqë atë që keni dhe për të cilën jeni krenarë. Ky nuk është një kërcënim, është realitet,” tha ai në një video-lidhje me parlamentin belg.
Zelensky foli edhe për situatën në Mariupol, qytet nën bombardimet e forta nga forcat ruse.
“Më shumë se 90% e të gjitha ndërtesave janë shkatërruar plotësisht nga artileria, sulmet me raketa dhe tanket e ushtrisë ruse. Mijëra janë fshehur në bodrumet e ndërtesave shumëkatëshe ose çfarëdo që ka mbetur prej tyre. Nuk ka asgjë atje. Pa ujë, pa ushqim, pa ilaçe, pa jetë, por Mariupol nuk po dorëzohet," tha ai.
“Çdo ditë ne përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi që korridoret humanitare nga Mariupol të funksionojnë për të shpëtuar civilët e mbetur në qytet. Sot, ky është vendi më i keq në Evropë. Atje është ferr dhe katastrofë”, shtoi ai, transmeton CNN.
Wallace: Putin është një “njeri brenda kafazit që e ndërtoi vetë”
Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace deklaroi se Rusia tani është një "vend më i vogël" si rezultat i pushtimit të Ukrainës.
"Presidenti (Vladimir) Putin nuk është forca që ka qenë. Ai tani është një njeri në kafazin që e ndërtoi vetë. Ushtria e tij është e rraskapitur, ai ka pësuar humbje të konsiderueshme, reputacioni i ushtrisë së madhe të Rusisë është shkatërruar”, tha Wallace për Sky News.
"Ai jo vetëm që duhet të jetojë me pasojat e asaj që po i bën Ukrainës, por duhet të jetojë edhe me pasojat e asaj që i ka bërë ushtrisë së tij," shtoi ai.
Wallace tha se forcat ruse duket se po rigrupohen dhe po zhvendosin fokusin e tyre drejt jugut dhe lindjes së Ukrainës.
"Ne e kemi parë atë më parë. Gjithmonë përkeqësohet. Ajo shkon për më shumë sulme civile, më shumë zona civile," tha ai.
Ukraina mund të mos eksportojë grurë këtë vit, thotë një burim i qeverisë franceze
Ka shumë të ngjarë që Ukraina – një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë – të mos jetë në gjendje të përpunojë të korrat e saj ose të eksportojë ndonjë rezervë gruri këtë vit pas pushtimit rus, tha sot një burim i Pallatit Elysee.
Luftimet e vazhdueshme dhe humbja e fuqisë punëtore bujqësore "e bëjnë çdo korrje dhe mundësinë e mbjelljes së kulturës tjetër jashtëzakonisht të vështirë", tha burimi i qeverisë franceze.
“Vetëm Ukraina është thelbësore për balancën e tregut botëror të ushqimit”, shtoi burimi.
Qeveria ukrainase ndaloi eksportet e mallrave kryesore bujqësore – duke përfshirë grurin, misrin, drithërat, kripën dhe mishin – sipas një rezolute të kabinetit që kaloi në fillim të këtij muaji.
NATO garanton Poloninë e Lituaninë për mbrojtjen e Aleancës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është detyrë e Aleancës Veri-Atlantike të mbrojë të gjithë aleatët dhe se kjo vlen për të gjithë territorin e Polonisë, duke përfshirë hendekun Suwalki në Poloninë verilindore dhe Lituaninë.
Hendeku Suwalki ndan enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik nga Bjellorusia, tani pret mijëra trupa ruse dhe është e vetmja mënyrë për të shkuar me rrugë ose hekurudhë nga Polonia dhe Evropa Qendrore në shtetet baltike.
Stoltenberg e bëri deklaratën gjatë një konference për shtyp të enjten, kur u pyet në lidhje me raportet e mediave ruse se si Rusia ka “eksploruar” mundësinë e një korridori në Kaliningrad dhe nëse kjo përbën një kërcënim real për Poloninë.
Ai përsëriti se për sa i përket Kaliningradit apo ndonjë korridori tokësor, Aleanca ishte e detyruar të mbronte të gjithë aleatët. Ai shtoi se, për të përjashtuar çdo keqkuptim me Moskën, NATO kishte rritur ndjeshëm praninë e saj në zonat e saj lindore.
Stoltenberg tha se detyra e NATO-s ishte të parandalonte Rusinë nga përdorimi i Kaliningradit ose ndonjë pretekst tjetër për të filluar operacione agresive kundër çdo shteti të NATO-s, transmeton PAP.
Morawiecki thotë se Rusia synon të marrë një të tretën e Ukrainës "shumë shpejt"
Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki deklaroi sot se ai beson se trupat ruse "shumë shpejt" do të synojnë të kapin një të tretën e Ukrainës dhe se Moska do ta përdorë për të forcuar dorën e saj negociuese.
“Unë shoh që trupat ruse po rigrupohen, po riorganizohen. Mendoj se ata do të përpiqen të rrethojnë forcat ukrainase shumë shpejt - në rajonin e Donbasit në veçanti. Dhe më pas, pasi kanë kapur një të tretën e territorit në Ukrainë, ata do të duan të negociojnë nga ky pozicion shumë i fortë,” tha Morawiecki.
Duke folur për CNN, Morawiecki tha se aleatët e Ukrainës duhet të vazhdonin të vendosnin një "një grup dërmues sanksionesh".
“Moska ka frikë nga sanksionet afatgjata. Ne po mbrojmë konfiskimin e aseteve të tyre dhe bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndaluar blerjen e naftës dhe gazit rus," tha ai.
Morawiecki paralajmëroi se Perëndimi duhet të rrisë urgjentisht furnizimin me armatim të Ukrainës, duke i bërë një thirrje të drejtpërdrejtë Shteteve të Bashkuara që "të veprojnë shpejt”.
“Ne duhet të ndihmojmë ukrainasit që të mbrojnë vendin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Ditët tona janë orët e tyre, javët tona janë ditët e tyre; ata kanë nevojë për armë këtu dhe tani. … Rusia është një vend i madh, me shumë mallra, lëndë të para, burime… Ata kanë një ushtri të madhe. Kjo është arsyeja pse ata mund të rigrupohen dhe riorganizohen vazhdimisht,” tha ai.
Ndryshe, në një fjalim virtual në parlamentin australian sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë dhe paralajmëroi për implikime të mëdha për sigurinë globale nëse ushtria ruse nuk ndalet.
Franca e Gjermania refuzojnë të paguajnë gazin rus në rubla
Ministrat e ekonomisë gjermane dhe franceze thanë sot se ishin të përkushtuar ndaj marrëveshjeve ekzistuese me Rusinë për të bërë pagesat për furnizimet me gaz rus vetëm në euro.
“Kontratat janë në euro dhe duhet të paguhen në euro dhe do të paguhen në euro”, tha ministri francez i Ekonomisë dhe Financave Bruno Le Maire gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij gjerman Robert Habeck.
“Ne nuk do të pranojmë metodën e pagesës për gazin [rus] në asnjë monedhë tjetër nga ajo që thuhet në kontratë”, shtoi Le Maire.
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se sipas një dekreti të sapo nënshkruar në lidhje me tregtinë e gazit natyror me "vendet jomiqësore", kompanitë do të duhet të kenë llogari në bankat ruse dhe të paguajnë për kontratat në rubla, transmeton CNN.
Në një konferencë të veçantë për shtyp të enjten, Habeck tha se Gjermania është "e përgatitur" për të gjithë skenarët, duke përfshirë një ndalim të flukseve të gazit rus në Evropë, ndërsa Le Maire tha se Franca po "përgatitet" në rast se Rusia ndërpret dërgesat e gazit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz këmbënguli gjithashtu sot se Berlini do të bëjë pagesat për gazin rus vetëm në euro.
“Ne i kemi shikuar kontratat për shpërndarjen e gazit dhe dërgesat e tjera. (Në kontratat thuhet) se pagesat duhet të bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë amerikanë, por kryesisht në euro. Dhe e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kjo do të mbetet ashtu siç është”, tha Scholz në Berlin gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij austriak Karl Nehammer.
“Është një ndjenjë e tmerrshme të jesh i varur nga energjia ruse për momentin. Ne duhet të sigurojmë furnizime me energji për të siguruar funksionimin e ekonomisë, sepse gazi që vjen nga Rusia nuk përdoret vetëm për familjet private, por edhe nga industritë ku bëhet fjalë për vendet e punës, dhe prosperiteti duhet të ruhet," tha Nehammer.
Ministri gjerman: Nuk shantazhohemi nga Putini
Shteti gjerman ka thënë se nuk do të shantazhohet nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili tha se do t’i detyrojë blerësit e huaj të paguajnë me rubla gazin rus.
Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, Robert Habeck, ka thënë se me aleatët, me të cilët ai ka folur, besojnë se kontratat ekzistuese të gazit duhet të respektohen, shkruan CNN.
Tutje, Habeck thotë se deri më tani s’ka parë fatura të reja për gazin nga Rusia, teksa këmbëngul se ata [Gjermania] janë të përgatitur për çdo gjë që Putin mund të vendosë në lidhje me gazin.
Kujtojmë se gazi rus përbën rreth 40 për qind të importeve të gazit natyror të Bashkimit Evropian, me Gjermaninë, e cila importon më së shumti në Evropë deri më tani.
Ambasadorja e ShBA-së në OKB në prill do të takohet me refugjatë ukrainas
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, do të udhëtojë në Moldavi e Rumani për tu takuar me zyrtarë e refugjatë ukrainas.
Thomas-Greenfield vizitën e saj do ta bëjë në prill, për tu fokusuar në përpjekjet për t’i ndihmuar refugjatët ukrainas dhe nevojat humanitare, të cilat u krijuan nga lufta e Rusisë, sipas një njoftimi nga misioni amerikan, shkruan CNN.
Ndërsa, ambasadorja që nga 2 deri më 4 prill do të takohet me refugjatë ukrainas ku do t’i dëgjojë përvojat e tyre nga dora e parë të cilat kanë ikur nga lufta.
Ajo, gjithashtu do të takohet me partnerët e organizatave joqeveritare dhe agjencitë e OKB-së që po punojnë për t’i ndihmuar refugjatët, e po ashtu edhe me zyrtarë qeveritarë të angazhuar për reagim humanitar.
Scholz thotë se pagesat e gazit rus do të vazhdojnë në euro ose dollarë
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të enjten se vendet perëndimore do të vazhdojnë të paguajnë për gazin rus në euro ose dollarë, pavarësisht kërcënimit të Kremlinit për të ndërprerë furnizimet që nuk paguhen në rubla.
"Ne shikuam kontratat për dërgesat e gazit," u tha Scholz gazetarëve në Berlin.
“Ato thonë se pagesat bëhen në euro, ndonjëherë në dollarë... dhe unë e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kështu do të mbetet”, tha ai duke iu referuar një bisede telefonike me Vladimir Putin të mërkurën.
Spanja dërgon 10 aeroplanë me armatim në Ukrainë
Qeveria e Spanjës ka dërguar 10 aeroplanë me armatim në Ukrainë raporton mediumi Nexta.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e mbrojtjes së Spanjës, Margartia Robles.
Shtetet anëtare të NATO-s kanë dërguar vazhdimisht armatim që nga 24 shkurti kur Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Zelensky tash e një muaj kërkon nga vendet e NATO-s që të zbatojnë zonën e ndalim fluturimit për aeroplanët rusë mbi Ukrainë, kërkesë e cila s’ka gjetur përkrahje në mesin e shteteve anëtare të Aleancës.