LIVE: Zhvillime dramatike në Ukrainë/ Rusia nuk ndalon sulmet – Putin me veprim të papritur

Evropë

LIVE: Zhvillime dramatike në Ukrainë/ Rusia nuk ndalon sulmet – Putin me veprim të papritur

Nga: Bota sot Më: 9 prill 2022 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 01:02 më 10.04.2022
Boris Johnson dhe Volodymyr Zelensky

Putin emëron komandantin e ri ushtarak për Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin ka emëruar një gjeneral të ri për të drejtuar luftën në Ukrainë, ndërsa ushtria e tij ndryshon planet pas dështimit për të marrë Kievin, sipas një zyrtari amerikan dhe një zyrtari evropian.

Zyrtarët i thanë CNN-it se gjenerali i ushtrisë Alexander Dvornikov, komandant i Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë, është emëruar komandant teatri i fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

"Kjo flet për një pranim rus se po shkon jashtëzakonisht keq dhe se ata duhet të bëjnë diçka ndryshe," tha zyrtari evropian.

Një komandant i ri teatri me përvojë të gjerë luftarake mund të sjellë një nivel koordinimi ndaj një sulmi që tani pritet të fokusohet në rajonin e Donbasit, në vend të fronteve të shumta./M.H.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

Bashkimi Evropian rihap ambasadën në Kiev

BE-ja ka rihapur ambasadën e saj në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pasi e ka zhvendosur përkohësisht në Poloni pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell njoftoi planet gjatë një vizite në Ukrainë të premten, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Pasi foli me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, zoti Borrell tha se ata ranë dakord të përshpejtonin përgatitjet për Këshillin e ardhshëm të Asociimit BE-Ukrainë, që do të zhvillohet në të ardhmen e afërt.

Matti Maasikas, kreu i delegacionit të BE-së në Ukrainë, postoi një foto më parë të flamurit të BE-së jashtë delegacionit në Kiev, duke sinjalizuar kthimin e misionit diplomatik.

Italia gjithashtu synon të rihapë ambasadën e saj në Kiev menjëherë pas Pashkëve, tha të shtunën Ministri i Jashtëm i saj Luigi Di Maio, njoftoi shërbimi italian i lajmeve Ansa./M.H.

Zelensky falënderon Mbretërinë e Bashkuar për dërgimin e më shumë ndihmave ushtarake

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi të shtunën Mbretërinë e Bashkuar dhe kryeministrin britanik Boris Johnson për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Në fjalimin e tij të natës të postuar në mediat sociale, Zelensky tha: “Boris ishte ndër ata që nuk dyshuan për asnjë minutë nëse do të mbështesnin Ukrainën. Udhëheqja e Britanisë së Madhe, në ofrimin e ndihmës për vendin tonë në mbrojtje dhe gjithashtu udhëheqjen në politikën e sanksioneve, do të mbetet gjithmonë në histori”, u shpreh ai.

Ukraina do të jetë gjithmonë mirënjohëse për këtë ndaj Borisit dhe Britanisë”, tha Zelensky, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Johnson u takua me Zelensky në një vizitë të papritur të shtunën në Kiev për të përshkruar planin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar mbështetje të mëtejshme financiare dhe ushtarake.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss shkroi në Twitter se Mbretëria e Bashkuar po dërgon "ndihma vdekjeprurëse" shtesë në Ukrainë, duke përfshirë 120 automjete të blinduara të tjera; sisteme të reja raketore kundër anijeve; dhe 130 milionë dollarë pajisje ushtarake të nivelit të lartë.

I jam mirënjohës Mbretërisë së Bashkuar që vazhdon dhe intensifikon sanksionet dhe gjithashtu ofron një mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën duke përforcuar kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët shtypi me Johnson më herët të shtunën.

Vendet e tjera demokratike perëndimore duhet të ndjekin shembullin e Mbretërisë së Bashkuar”, tha Zelensky./M.H.

Rusia po përdorë IED për të shkaktuar dëme

Rusia po përdor mjete shpërthyese të improvizuara (IED) për të vazhduar të shkaktojë dëme.

Gjithashtu në njoftim thuhet se të njejtat mjete shpërthyese do të përdorën të ulë moralin në Ukrainë, sugjeron inteligjenca britanike.

Në vlerësimin e fundit të konfliktit në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes shton se ka prova të një shënjestrimi joproporcional të civilëve nga Rusia.

Kujtojmë që Rusia po vazhdon sulmet e ashpra ndaj Ukrainës./M.H.

Guvernatori i Donetsk: Pesë të vrarë nga bombardimet në rajon

Guvernatori i Donetskut në Ukrainën lindore, Pavlo Kyrylenko, thotë se pesë persona janë vrarë nga bombardimet në rajon .

Ai tha se katër u vranë në Vuhledar dhe një në Novomykhailivka, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Ai shtoi se pesë të tjerë u plagosën në rajon dhe katër në Vuhledar dhe një në Krasnohorivka.

Rusia vret civilë!”, tha ai në një postim në rrjetet sociale të shtunën.

BBC nuk ka qenë në gjendje t'i verifikojë këto pretendime në mënyrë të pavarur./M.H.

Zhvillimet më të fundit në luftën Rusi-Ukrainë

Këtu gjeni disa nga zhvillimet e fundit në luftën Rusi dhe Ukrainë.

Udhëheqësit e huaj kanë udhëtuar në Kiev për të takuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kryeministri britanik Boris Johnson bëri një vizitë në kryeqytet të shtunën si një shfaqje "solidariteti me popullin ukrainas", sipas Doëning Street.

Kancelari austriak Karl Nehammer gjithashtu u takua me Zelensky të shtunën, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Disa operacione diplomatike do të rifillojnë në Kiev:

Bashkimi Evropian njoftoi të shtunën se do të rifillojë diplomacinë jashtë kryeqytetit. Italia gjithashtu njoftoi se do të kthejë ambasadën e saj në Kiev nga Lviv, ku ishte zhvendosur pasi agresioni rus në vend u përshkallëzua. Sllovenia rihapi ambasadën e saj në Kiev më 28 mars, sipas Ministrisë së Jashtme të Sllovenisë.

Nivelet e rrezatimit në Çernobil:

Petro Kotin, kreu i operatorit shtetëror të energjisë bërthamore të Ukrainës, Energoatom, vizitoi një nga seksionet e të ashtuquajturit Pylli i Kuq në zonën e përjashtimit të Çernobilit së bashku me specialistë dhe vëzhgoi rrezatim "anormalisht të lartë" në zonat ku trupat ruse hapën llogore dhe u përpoqën të ndërtojnë fortifikime.

Bazuar në të dhënat, thuhet në një deklaratë, "të gjithë pushtuesit që ishin vendosur dhe ngulitur në Pyllin e Kuq, në pothuajse 30 ditë, duhet të presin sëmundje nga rrezatimi me shkallë të ndryshme të ashpërsisë".

Një përditësim për viktimat:

Të gjithë personat e lënduar në grevën e stacionit hekurudhor të premten janë evakuuar nga qyteti, ku shumica janë zhvendosur në qendrën rajonale të Dnipros dhe disa në Kiev, tha për CNN një zyrtar i spitalit lokal në Kramatorsk. Gjithsej 80 të rritur dhe 19 fëmijë u plagosën, 20 prej të plagosurve në gjendje të rëndë. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se 52 persona janë vrarë në sulm.

Të paktën 176 fëmijë kanë vdekur dhe më shumë se 324 janë plagosur si rezultat i agresionit rus, tha Parlamenti ukrainas, Verkhovna Rada i Ukrainës, në një postim në Tëitter të shtunën. Shifrat nuk janë përfundimtare pasi shkatërrimi në zonat e goditura rëndë vazhdon të vlerësohet, shtoi ai./M.H.

Publikohen pamjet nga vizita e Boris Johnson në Kiev

Llogaria zyrtare e Ukrainës në Twitter ka publikuar pamjet e ecjes së Boris Johnson në Kiev gjatë ditës së stome, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

“Sepse ukrainasit derdhën shumë gjak", është mbishkrimi i videos.

Kujtojmë, se ai kishte zhvilluar një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Johnson është kategorik që lufta të ndalet./A.SH

 

Dhjetë trupa u gjetën nga rrënojat në Borodyanka

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Trupat e 10 civilëve u gjetën nga nën rrënojat në qytetin e shkatërruar të Borodyanka, afër Kievit të shtunën, tha zëvendës shefi i shërbimit të urgjencës ukrainase në rajonin e Kievit, Bogdan Danilyuk.

Më 7 prill, prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Irina Venediktova, tha se 26 trupa ishin zbuluar në rrënojat në qytetin që shtrihet rreth 90 km (55 milje) në veriperëndim të kryeqytetit ukrainas Kiev, por numri përfundimtar mendohet të jetë shumë më e lartë, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Korrespondenti i BBC-së Jeremy Bowen kohët e fundit shkroi për shkatërrimin që pa në Borodyanka, ku rrugë të tëra janë kthyer në rrënoja.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Borodyanka mund të ketë vuajtur më shumë se të tjerët dhe se mizoritë më të këqija të kryera nga trupat ruse që largohen nga veriu i vendit nuk janë zbuluar ende.

​Konferenca e donatorëve mbledh miliarda euro për të ndihmuar refugjatët ukrainas

Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për të ndihmuar refugjatët e Ukrainës në Varshavë ka premtuar donacione dhe hua me një vlerë prej 9.1 miliardë eurosh (9.9 miliardë dollarë).

“Ne duam të mbledhim të gjithë botën për të qenë në gjendje të ndihmojmë refugjatët brenda dhe jashtë Ukrainës”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në kryeqytetin polak.

“Përveç miliardave të donacioneve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ofrojë 1 miliard euro kredi për banorët e zhvendosur. Ndërsa Komisioni ka premtuar 1 miliard euro”, njoftoi von der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në një videomesazh se Gjermania do të sigurojë 425 milionë euro shtesë si pjesë e ndihmës humanitare dhe zhvillimore për Ukrainën dhe shtetet e saj fqinje. Përveç kësaj, do të ofrohej edhe 70 milionë euro për të mbështetur shërbimet mjekësore.

“Gjermania qëndron në krah të Ukrainës,” tha Scholz. 

Berlusconi ka dy fjalë për mikun e vjetër, Putinin

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka thënë se është thellësisht i zhgënjyer dhe i pikëlluar nga sjellja e presidentit rus, Vladimir Putin.

Berlusconi, i cili prej vitesh gëzonte një miqësi të ngushtë me liderin rus, tha se Putini duhej të merrte përgjegjësinë e plotë në sytë e botës për pushtimin e Ukrainës, shkruan Aljazeera.

“Unë e njoha atë 20 vjet më parë dhe ai më ishte dukur gjithmonë një njeri i demokracisë dhe paqes… sa keq,” tha Berlusconi.

Ai këtë deklaratë e bëri duke iu drejtuar një konvente të partisë së tij konservatore “Forza Italia” në Romë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat