​Stoltenberg: Në pritje të pranimit të shpejtë të Finlandës e Suedisë pavarësisht vetos së Turqisë

Evropë

​Stoltenberg: Në pritje të pranimit të shpejtë të Finlandës e Suedisë pavarësisht vetos së Turqisë

Më: 19 maj 2022 Në ora: 19:01
Pamje nga takimi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është i sigurt për një pranim të shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, pavarësisht nga vetoja e përkohshme e Turqisë.

“Kam besim se do të arrijmë në një vendim të shpejtë për të mirëpritur Finlandën dhe Suedinë në familjen e NATO-s”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen në Kopenhagë.

Por shefi i NATO-s theksoi gjithashtu se interesat e sigurisë dhe shqetësimet e të gjithë aleatëve duhet të merren parasysh.

“Edhe në rast se Turqia vazhdon të bllokojë pranimin e Suedisë, nuk do të ketë procedurë të veçantë për Finlandën”, tha Stoltenberg.

“Suedia dhe Finlanda kanë aplikuar së bashku. Ne po e trajtojmë këtë si një procedurë kolektive”, shtoi ai.

Kryeministrja danez Frederiksen shprehu gjithashtu optimizëm për zgjerimin e NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës, duke thënë se të 30 vendet e NATO-s, përfshirë Turqinë, kanë interes në forcimin e aleancës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat