​Borrell kërkon hetime urgjente pas sabotimeve të dyshuara të gazsjellësve “Nord Stream 1 dhe 2”

Evropë

​Borrell kërkon hetime urgjente pas sabotimeve të dyshuara të gazsjellësve “Nord Stream 1 dhe 2”

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 12:31
Josep Borrell

Bashkimi Evropian beson se sabotimi është shkaku i mundshëm i rrjedhjeve nga tubacionet e gazit “Nord Stream 1 dhe 2” dhe po kërcënon me kundërmasa, deklaroi sot kryediplomati i BE-së, Josep Borrell në emër të të gjitha vendeve anëtare.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dëmtimin e gazsjellësve “Nord Stream 1 dhe 2” që ka rezultuar në rrjedhje në ujërat ndërkombëtare të detit Baltik.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, shtoi se këto incidente nuk janë rastësi dhe se i prekin të gjithë.

Ai tha se të gjitha informacionet në dispozicion tregonin se rrjedhjet ishin rezultat i një akti të qëllimshëm.

“Ne do të mbështesim çdo hetim që synon të qartësojë atë që ndodhi dhe pse, dhe do të ndërmarrim hapa të mëtejshme për të rritur qëndrueshmërinë tonë në sigurinë energjetike”, tha Borrell.

Borrell tha se çdo ndërprerje e qëllimshme e infrastrukturës energjetike evropiane është krejtësisht e papranueshme dhe do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar.

Tre rrjedhje u gjetën në tubacionet që transportojnë gazin nga Rusia në Evropë përmes detit Baltik, në zonat ekskluzive ekonomike të Danimarkës dhe Suedisë në ishullin danez të Bornholm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat