​KE propozon sanksione ndaj personave që ndihmojnë Rusinë t'i anashkalojë ato

Evropë

​KE propozon sanksione ndaj personave që ndihmojnë Rusinë t'i anashkalojë ato

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 21:00
Viola von Cramon

Propozimi për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, i cili u prezantua sot nga Komisioni Evropian, përfshin edhe sanksionimin e personave që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve.

“Po prezantojmë një kategori të re, në të cilën do të mund të fusim në listë individë nëse i anashkalojnë sanksionet. Për shembull, nëse blejnë mallra në Bashkimin Evropian, i sjellin në një vend të tretë dhe më pas në Rusi, kjo do të jetë një anashkalim i sanksioneve dhe këta individë mund të jenë në listën e sanksionuar. Mendoj se do të ketë një efekt të madh parandalues”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Ajo theksoi se sanksionet aktuale të BE-së kanë goditur rëndë regjimin e presidentit rus Vladimir Putin.

“Ata ia vështirësuan financimin e luftës dhe tani ne po intensifikojmë përpjekjet tona në atë drejtim”, tha zyrtarja e KE-së.

Bashkimi Evropian ka marrë tashmë një vendim për ndalimin e importit të naftës bruto ruse të transportuar me cisterna, i cili do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor.

Kohët e fundit, një grup i vendeve më të zhvilluara, G7, propozoi vendosjen e një kufiri çmimi për naftën ruse për vendet e treta, dhe tani propozimi i Komisionit po shkon në këtë drejtim.

“Ne e dimë se disa vende në zhvillim kanë nevojë ende për naftën ruse me një çmim të ulët. Në paketën e sotme, ne vendosëm kuadrin ligjor për futjen e kufizimeve ruse të çmimit të naftës për vendet e treta. Nga njëra anë, kjo do të zvogëlojë të ardhurat ruse nga shitja e naftës dhe nga ana tjetër, do të mbajë të qëndrueshme tregjet globale të energjisë”, tha von der Leyen.

Paketa e re, e tetë e sanksioneve përfshin shtimin e 1300 personave të tjerë fizikë dhe juridikë në listën e personave të sanksionuar, një ndalim të gjerë të importeve, që do t'i privojë Rusisë 7 miliardë euro të ardhura, si dhe ndalimin e eksportit të disa teknologji kyçe për Rusinë.

Gjithashtu propozohet që qytetarët e BE-së të mos jenë më në bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve shtetërore ruse.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat