LIVE: Breshëri sulmesh në Ukrainë, Lukashenko befason me deklaratën: Do luftojmë me Putinin nëse ndodhë kjo gjë!

Evropë

LIVE: Breshëri sulmesh në Ukrainë, Lukashenko befason me deklaratën: Do luftojmë me Putinin nëse ndodhë kjo gjë!

Nga: Bota sot Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 07:58 Përditësuar në ora: 21:08 më 16.02.2023
Ukraina

Zelensky përjashton mundësinë e një marrëveshjeje për territor me Putinin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar mundësinë e dhënies të ndonjë pjese të territorit të shtetit të tij, si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme të paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.

Në një intervistë për BBC në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Zelensky paralajmëroi se dhënia e territorit do të nënkuptonte se Rusia “do të vazhdonte të kthehej”, teksa theksoi se armët perëndimore do ta sjellin më afër paqen.

Sipas tij, ofensiva e pranverës veçse ka nisur.

“Sulmet ruse po ndodhin në disa drejtime”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se beson se forcat ukrainase do të vazhdojnë të rezistojnë ndaj avancimit rus, derisa të jenë në gjendje të kryejnë një kundërofensivë, edhe pse ai përsëriti thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.

“Natyrisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, tha ai.

Perëndimi e ka ndihmuar me armatime Ukrainën, por Kievi po kërkon që dërgesat e armëve të arrijnë sa më shpejt. Ukraina po pret tanket e premtuara nga shtetet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, por tanket pritet të shkojnë në Ukrainë pas disa javësh.

Zelensky po ashtu komentoi deklaratat e liderit të Bjellorusisë se nëse trupat ushtarake hyjnë në Bjellorusi, ky shtet do të hyjë në luftë me Kievin.

“Shpresoj që Bjellorusia të mos i bashkohet luftës. Nëse i bashkohet, ne do të luftojmë dhe ne do të mbijetojmë”, tha ai.

Forcat ruse nisën pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke hyrë në territorin e Ukrainës përmes Bjellorusisë./REL

Disa orë pas sulmeve mbi Ukrainë, Moldavia gjen copëza të raketave pas sulmeve ruse në Ukrainë

Një patrullë policore ka gjetur copëza të raketave në veri të Moldavisë më 16 shkurt, disa orë pas sulmeve ruse me raketa që kishin për cak Ukrainën fqinje, thanë autoritetet moldave.

Copëzat e raketave u gjetën afër kufirit me Ukrainën, në fshatin Larga, tha Policia moldave përmes një deklarate.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, të paktën katër herë janë gjetur copëza raketash në Moldavi, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës pothuajse një vit më parë.

Njoftimi për gjetjen e copëzave të raketave ruse vjen në kohën kur Parlamenti moldav po përgatitet që votojë për kryeministrin e ri, që pritet të vazhdojë kursin pro-evropian të kësaj ish-republike Sovjetike dhe të shtyjë përpara agjendën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Moldavia ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe presidentja moldave gjatë kësaj jave ka akuzuar Rusinë se po përgatit një komplot, duke përdorur sabotatorë të huaj, për të rrëzuar udhëheqjen e Moldavisë.

Moska mohon këto akuza dhe po ashtu nuk ka komentuar menjëherë lidhur me gjetjen e copëzave të raketave në territorin e Moldavisë.

Bjellorusia paralajmëron, Lukashenko: Do luftojmë përkrah Putinit sikur vetëm një ushtar ukrainas të kalojë kufirin

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko ka thënë se vendi i tij do të ndërmarrë veprime ushtarake nëse ndonjë ushtar ukrainas kalon kufirin e vendit.

Ai tha se do të luftonte përkrahë rusëve vetëm nëse ushtarët ukrainas do të hynin në territorin bjellorus, duke zbutur frikën se forcat e tij do të bashkoheshin me Putinin në ofensivën kundër Ukrainës.

Diktatori bjellorus i bëri komentet në një konferencë shtypi me gazetarë të huaj në Minsk të enjten, por pavarësisht premtimeve se ai nuk do të dërgonte ushtarë bjellorusë në Ukrainë, ka pasur shqetësime për numrin e forcave ruse që strehohen në vend.

Minsku zyrtar e ka lejuar Kremlinin të përdorte vendin si një pikënisje për operacionin e tij ushtarak kundër Kievit shkurtin e kaluar, ndërsa Lukashenko shpesh herë është parë krahë Putinit që nga nisja e konfliktit.

 

Lufta në Ukrainë, Kievi i dorëzon Moskës 101 robër lufte

Ukraina ka rilidhur marrëveshjen me Rusinë për dorëzimin e robërve të luftës.

Sipas mediave ruse, ditën e sotme Ukraina i ka dorëzuar Rusisë 101 robër lufte.

Agresioni rus vijon në Ukrainë, ku ditët e fundit ka rifilluar sulmet me dronë luftarake dhe raketa.

Shënjestra e rusëve ka qenë sektori i energjisë e elektrike dhe infrastruktura.

Zvicra kërkon konfiskimin e aseteve të ish-presidentit ukrainas: Vijnë nga burime të paligjshme

Qeveria zviceriane kërkon konfiskimin e aseteve të ish-presidentit ukrainas Viktor Janukoviç.

Qeveria zvicerane ka nisur procedurat me Gjykatën Administrative Federale për sekuestrimin e 140 milionë dollarë, pasi supozohet se kanë ardhur nga ‘burime të paligjshme’. Janukoviç u largua për në Rusi pasi u rrëzua nga pushteti në vitin 2014 pas protestave masive në vend.

Zvicra tha se konfiskimi i aseteve zbatohet në rrethana të jashtëzakonshme. Asetet e Janukoviçit me bazë në Zvicër u ngrinë në vitin 2014 dhe Ukraina kishte kërkuar ndihmë për t’i rikuperuar ato.

Asetet “ishin objekt i procedimeve penale në Ukrainë dhe procedurave të ndihmës reciproke të nisura nga Ukraina”, tha qeveria zvicerane.

Kujtojmë që pak ditë më parë Zvicra refuzoi konfiskimin e aseteve ruse duke deklaruar se një veprim i tillë do të përmbyste rendin e ligjit. Zvicra njihet si një shtet neutral.

Rusia sulmon me raketa Ukrainën

Forcat ruse goditën sot me raketa një sërë objektivash në të gjithë Ukrainën. 

Zyrtarët ukrainës thanë se forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan 16 nga 36 raketa ruse. 

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Moska mund të ndërmarrë një sulm të ri me afrimin e 1 vjetorit të fillimit të agresionit rus. 

Zoti Zelensky tha në fjalimin e përnatshëm, të mërkurën, se kishte besim se Ukraina do t’i frenonte sulmet dhe rimarrjen e iniciativës nga Rusia. 

Sulmi i fundit rus vjen në një kohë që Norvegjia miratoi një paketë ndihme 5 vjeçare për Kievin, me vlerë prej 7 miliardë dollarësh. 

Presidenti i Ukrainë, Volodymyr Zelenskyy tha se vendimi forcon marrëdhëniet mes dy vendeve duke shtuar se Rusia nuk do arrijë të kapërcejë “bashkimin e atyre që e çmojnë lirinë”. 

Presidenti Zelenkyy u tha ligjvënësve norvegjezë përmes një videoje se ata po vendosnin një precedent shumë të rëndësishëm, duke mbështetur financiarisht për një periudhë të gjatë, një vend që mbron pavarësinë e tij si dhe të drejtën e çdo kombi për të jetuar sipas normave të njohura ndërkombëtarisht./VOA

Nga tendat tek tanket; një vit i rëndësishëm për NATO-n në Ukrainë

Ditën pasi Rusia sulmoi Ukrainën, udhëheqësit e 30 vendeve të NATO-s mbajtën një takim emergjence për të trajtuar atë që e cilësuan si rrezikun më të madh për sigurinë euro-atlantike pas dekadash – fillimin e asaj që do të bëhej lufta më e madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945.

“Në këtë situatë të vështirë dhe që vazhdon të ndryshojë, nuk është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por aleatët do të ofrojnë mbështetje dhe janë të përkushtuar që ta vazhdojnë atë”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg. Se çfarë forme do të marrë mbështetja, kjo mbetet një pikëpyetje në vazhdimësi.

Në muajt që pasuan, mbështetësit e Ukrainës në NATO dhe organizata të tjera, dërguan karburant, helmeta, furnizime mjekësore dhe forma të tjera mbështetjeje jovdekjeprurëse. Në vazhdim dhe pas një hezitimi të gjatë, erdhën sistemet e artilerisë dhe të mbrojtjes ajrore, me shpresën se nuk do të provokonin Presidentin rus Vladimir Putin.

NATO, si organizatë, i ruhej tërheqjes në një luftë të plotë me Rusinë, e cila ka armë bërthamore. Teknikisht situata vazhdon të jetë po kështu, por pas gati një viti Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u mblodh këtë javë për bisedime në shtabin e NATO-s në Bruksel, që shërben zakonisht si forumi kryesor i udhëheqësve, ministrave dhe të dërguarve të vendeve anëtare.

Pasi sapo siguroi premtimet për dërgimin e tankeve luftarake që i nevojiten së tepërmi Ukrainës, ajo tashmë dëshiron diçka më tepër: avionë luftarakë./VOA

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Rusia dëbon katër diplomatë austriakë

Moska tha se do të dëbojë katër diplomatë austriakë pasi Vjena dëboi katër punonjës të misionit të huaj të Rusisë në Austri, teksa tensionet janë rritur për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Ministria e Jashtme ruse tha se dëbimi i diplomatëve ka qenë një “hap jomiqësor dhe i pajustifikuar” që “shkakton dëme serioze në raportet dypalëshe, që veçse kanë qenë në krizë për shkak të veprimeve nga pala austriake”.

Austria dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Ministria e Jashtme ruse tha se ka thirrur në bisedë ambasadorin austriak në Moskë dhe e informoi atë se katër punonjës të Ambasadës austriake në Rusi janë shpallur “persona të padëshiruar”.

Atyre u është dhënë afat deri më 23 shkurt që të largohen nga Rusia.

“Ambasadorit po ashtu iu paraqitën vështirësitë për pajisjen me viza nga delegacionet ruse që udhëtojnë për në Vjenë”, tha Ministria e Jashtme ruse.

Më herët gjatë shkurtit, Vjena njoftoi për dëbimin e katër diplomatëve rusë, përfshirë dy diplomatë të akredituar në Kombet e Bashkuara, duke thënë se ata kanë vepruar “në mënyrë të papërshtatshme me statusin e tyre diplomatik”.

Dëbimet e diplomatëve në Austrinë neutrale janë të rralla, pasi ky shtet ka pasur raporte të ngushta me Rusinë para se Moska të niste luftën kundër Ukrainës./REL

Poloni, ushtarët ukrainas mësojnë si të përdorin tankun Leopard 2

Mbi 100 ushtarë ukrainas po kryejnë trajnime intensive në Poloni mbi përdorimin e tankut të prodhimit gjerman Leopard 2 që përdoret në fushëbetejë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, njofton nga baza ushtarake Svietozov në Poloni se udhëheqësit ukrainas thonë se tanket, të premtuara nga aleatët perëndimorë tre javë më parë, do të luajnë një rol kyç në luftën kundër agresionit rus. 

Në këtë bazë ushtarake polake po stërviten intensivisht mbi 100 trupa ukrainase. Ata u sollën nga vijat e frontit në Ukrainë për të mësuar se si të përdorin tanket Leopard 2 të prodhimit gjerman të ofruara nga aleatët perëndimorë. 

Ata po trajnohen nga instruktorë nga Kanadaja, Norvegjia dhe Polonia. Trupat ukrainase, të cilët kishin luftuar në rajonet Donetsk dhe Luhansk, po stërviten 10 orë në ditë, përfshirë fundjavat. 

Zëri i Amerikës bisedoi me majorin polak Artur Pinkovsky, i cili është zëdhënës i bazës. 

“Trajnimi është shumë i ngjeshur në kohë, sepse koha është problemi ynë më i madh. Trupat ukrainase kanë pervojë, ata erdhën këtu nga fronti i luftës”. 

Trajnimi zakonisht zgjat tre muaj, por zyrtarët thonë se ushtarët ukrainas do të jenë gati t’i përdorin këto tanke në fushën e betejës brenda rreth një muaji. 

Majori i ushtrisë ukrainase Vadym Khodak po udhëheq stërvitjen. Ai thotë për Zërin e Amerikës se trupat e tij janë të gatshme për të mësuar shpejt. 

“Ushtarët e mi kanë përvojë në fushën e betejës. Ata kanë përdorur tanket tona në luftë, kështu që është shumë më e lehtë për ta, që të mësojnë se si t’i përdorin këto tanke”. 

Majori thotë se këto tanke do të luajnë një rol të rëndësishëm në fushën e betejës. 

“Aktualisht kemi mungesë të mjeteve të blinduara dhe shpresoj që kur të arrijmë në vijën e frontit me këto pajisje, do të shpëtojmë jetët e shumë ushtarëve tanë dhe do t’i afrohemi fitores”. 

Dërgimi i 14 tankeve të para është planifikuar për muajin që vjen. Tanket Leopard 2 pritet të jenë një mbështetje e mirë për forcat ukrainase, ndërsa po afrohet një vjetori i fillimit të agresionit rus. 

Partnerët evropianë planifikojnë të dërgojnë në Ukrainë dy batalione tankesh. E gjithë Evropa ka rreth 2 mijë tanke të modelit Lepoard 2. 

Sipas zyrtarëve, dërgimi muajin që vjen i 14 tankeve të gatshëm për fushën e betejës, do të jetë hapi i parë. Presidenti polak, Andrzej Duda, vizitoi poligonin e stërvitjes të hënën dhe vlerësoi luftën e Ukrainës kundër Rusisë. 

“Ukrainasit po na mbrojnë të gjithëve, ata po mbrojnë Evropën duke luftuar imperializmin e ri rus. Ne e njohim fytyrën e imperializmit rus nga historia jonë dhe fqinjët tanë ukrainas po na mbrojnë. Ne i falenderojmë ata për këtë”. 

Ai shtoi se Polonia po ofron mbështetje për ukrainasit ndërsa u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të dërgojnë më shumë pajisje në Ukrainë në javët në vijim./VOA

Rusia ka humbur rreth gjysmën e tankeve – dhe ky nuk është problemi i vetëm i luftës së saj në Ukrainë

Ushtria ruse ka humbur të paktën gjysmën e tankeve të saj që kur filloi agresionin mbi Ukrainë, sipas një raporti nga një institut me bazë në Londër të publikuar të mërkurën.

“Flotat e tankeve dhe artilerisë ruse kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme”, thuhet në raportin e publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një organizatë kërkimore, shkruajnë mediat e huaja.

Grupi vlerësoi se rreth gjysma e flotës së tankeve moderne të Moskës para luftës, duke përfshirë modelet T-72B3 dhe T-72B3M, janë shkatërruar.

Kështu, trupat ruse kanë përdorur nxjerrjen e pajisjeve të vjetra nga rezervat për të mbushur boshllëqet në fushën e betejës.

Raporti identifikoi 1700 humbje të tankeve ruse, por Henry Boyd, një studiues për analizat e mbrojtjes dhe ushtarake në institut, tha se ky numër mendohet të jetë edhe më i madh.

“Unë do të dyshoja se shifra aktuale është diku midis 20 dhe 40 për qind më e lartë se kaq”, ka thënë Boyd në një konferencë shtypi në lidhje me raportin.

Hulumtimi i tij tregon se midis 2,000 dhe 2,300 tanke ruse janë shkatërruar deri tani.

Flota më e vogël e Ukrainës ka humbur gjithashtu tanke të shumta beteje në luftime, thonë analistët, por këto humbje janë kompensuar disi nga tanket që ajo ka “kapur” nga forcat ruse, si dhe nga donacionet e tankeve të epokës sovjetike nga Polonia, Republika Çeke dhe aleatë të tjerë.

Boyd shtoi se dëmi që pësoi flota ruse u ngadalësua gjatë muajve të dimrit, por se “një ofensivë më e madhe potencialisht më vonë këtë vit” mund të rrisë shkallën e humbjeve.

Raporti identifikoi gjithashtu vështirësi të tjera të rusëve në fushën e betejës, duke përfshirë rezervistët e patrajnuar që thirreshin në vijën e frontit pa municion ose pajisje të duhura.

Për ushtrinë ruse, thuhet në raport, “lufta ka nxjerrë në pah probleme të kahershme që lidhen me komandimin dhe kontrollin si në nivelet më të reja ashtu edhe në ato më të larta komanduese, me mungesë fleksibiliteti që provon një dobësi të rëndësishme”.

Në të njëjtën kohë, Rusia dhe Ukraina po shterojnë rezervat e municioneve me një ritëm marramendës në luftën gati njëvjeçare, duke ushtruar presion mbi prodhuesit e armëve në mbarë botën për të përmbushur kërkesën dhe duke detyruar Moskën t’i drejtohet aleatëve si Irani për të rritur furnizimet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat