Stuhi e dhunshme në Milano, qyteti në kaos! 31 mm shi në një orë

Evropë

Stuhi e dhunshme në Milano, qyteti në kaos! 31 mm shi në një orë

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 14:35
Foto nga vendi i ngjarjes

31 mm shi brenda një ore, u regjistruan në Milanon e përballur me një përkeqësim të menjëhershëm të motit në mesin e një fronti të paqëndrueshëm, që ka përfshirë të gjitha rajonet veriore të vendit fqinj.

Përmbytje të mëdha u shënuan në Milano, dhe e rrezikshëm paraqitet situata sipas shtypit vendas dhe në zonat pranë liqenit të Comos. Në Lombardi nënkalimet janë mbuluar nga uji ndërsa ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të mos lëvizin në rajonet ku situata paraqitet më problematike. Këshilltari për Sigurinë dhe Mbrojtje Civile, Marco Granelli njoftoi se dalja nga shtrati e lumit Seveso zgjati për mbi 6 orë. Ajo preku disa lagje të Milanos, përfshirë dhe disa arterie rrugore të rëndësishme hyrëse në qytet, ndërsa patrullat e policisë u detyruan të mbyllin rrugët e përmbytura.

Granelli u ankua përmes një postimi në Facebook për kritikët e rezervuarëve që shërbejnë për të frenuar vërshimin e ujërave të Severos, në ndërtim e sipër që nga 1975 e deri më sot.

“Rezervuari i Milanos po testohet sot, por të tjerët, ata të Rajonit të Lombardisë, janë shumë prapa”, ka shkruar ai. Kjo solli reagimin e ashpër të presidentit të rajonit, Attilio Fontana i cili i kujtoi se duhet të kujdeset më shumë për Milanon, pasi siç tha, nuk kanë ndodhur kurrë kaq shumë situata të tilla, të cilat të dëshmojnë një braktisje të plotë.

Shqetësime ka pasur edhe për linjat hekurudhore në rajon, në disa prej të cilave, lëvizja u ndalua. Me dhjetëra zjarrfikës janë angazhuar në terren në Milano që nga ora 5 e mëngjesit për të ndihmuar banorët, ndërsa kanë shpëtuar edhe një grua të bllokuar me dy fëmijët e saj në makinë, pas rrëzimit të një peme nga era e fortë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat