Ministri italian pasi u zbulua se punësoi dashnoren në kabinetin e tij: Dua të jem me gruan time!

Evropë

Ministri italian pasi u zbulua se punësoi dashnoren në kabinetin e tij: Dua të jem me gruan time!

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 15:32
Gennaro Sangiuliano

Pasi u bë e ditur se ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangiuliano ka dhënë dorëheqje pasi pranoi se ka tentuar të punësojë dashnoren në kabinetin e tij, mediat italiane kanë publikuar edhe një letër që ai i ka dërguar kryeministrit dhe presidentit të vendit.

Në një letër drejtuar presidentit, Sergio Mattarella dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ministri italian tha se vendimin e dorëheqjes e ka marrë pas shumë analizave.

“Pas shumë diskutimesh, në ditët e dhimbshme dhe plot urrejtje të shkaktuar nga mediat ndaj meje, kam vendosur të dorëzoj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i Ministres së Kulturës. Ju falënderoj që më keni mbrojtur me vendimin tuaj, që tashmë keni refuzuar të parën kërkesë për dorëheqje dhe për mirësinë që më keni treguar. Jam gjithashtu i vetëdijshëm se kam prekur një ‘fole grerëzash’ dhe se kam tërhequr shumë armiqësi duke zgjedhur të rishikoj sistemin e kontributeve në kinema, duke kërkuar një efikasitet më të madh”, deklaroi ai.

 

Ai tha se si ministër i Kulturës ka bërë shumë gjëra dhe se puna e tij nuk mund të njolloset, shkruan rainews.

“Puna ime nuk mund të njolloset dhe të ndalet prej thashethemeve. Institucionet kanë një vlerë shumë të lartë dhe nuk duhet t’u binden arsyeve të individëve. Unë kam nevojë për qetësi personale, të jem pranë gruas time që dua, por mbi të gjitha t’i kem duart të lira të ndërmarrë veprime ligjore ndaj atyre që më kanë dëmtuar”, tha ai.

Së fundi, tashmë ish-ministri deklaroi se asnjëherë nuk ka keqpërdorur para nga buxheti i Ministrisë së Kulturës.

“Këtu është në lojë nderi im dhe mendoj se është e rëndësishme të veprohet dhe të tregohet transparencë absolute. Asnjë euro nga ministria nuk është shpenzuar për aktivitete të paligjshme. Këtë e kam thënë kudo dhe do ta vërtetoj”, përfundoi ai.

Kujtojmë se vetë Sangiuliano ka pranuar se ka tentuar të punësojë të dashurën e tij, Maria Rosaria Boccia dhe e gjithë historia u bë e njohur për publikun e gjerë kur ajo publikoi informacione në rrjetet sociale se si u bë këshilltare në kabinet.

Ky është skandali i dytë që godet Ministrinë e Kulturës këtë vit, pasi vartësi i Sangiuliano, atëherë Sekretari i Shtetit për Kulturën, Vittorio Sgarbi, dha dorëheqje në muajin shkurt pasi u akuzua për shitjen e veprave të vjedhura të artit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat