IPK arrestoi një kapiten policor të dyshuar për fajde

Ferizaj

IPK arrestoi një kapiten policor të dyshuar për fajde

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 19:06
Pamje nga disa nga monedhat e sekuestruara nga kontrolli ne Ferizaj

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot në orët e pasdites një zyrtar policor me gradën e kapitenit (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Ferizaj) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të fajdes.

Arrestimi i tij është bërë në flagrancë sot në orët e pasdites nga hetuesit e IPK-së në Ferizaj pas një hetimi të përbashkët me zyrtarët e Drejtorisë të Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës. 

Hetimi i përbashkët lidhur me këtë rast kishte filluar rreth një vit më parë kurse si të dyshuar janë të përfshirë edhe disa qytetarë. 

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj hetuesit e IPK-së janë duke realizuar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Ferizaj ku në cilësi të provave janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme. 

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe Kodit të Procedurës Penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat