Shkollat e Ferizajt ia kanë mbi 300 mijë euro borxh ujësjellësit

Ferizaj

Shkollat e Ferizajt ia kanë mbi 300 mijë euro borxh ujësjellësit

Më: 23 maj 2021 Në ora: 07:11
Ferizaj

Më shumë se 300 mijë euro është borxhi që shkollat e komunës së Ferizajt kanë ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”.

Rreth 50 institucione shkollore sa ka kjo komunë, prej vitesh nuk i kanë paguar këto fatura, madje ato me ujin e pijshëm po vazhdojnë t’i ujitin pemët dhe hapësirat gjelbëruese pranë objekteve shkollore.

Kjo çështje ka shtyrë kompaninë “Bifurkacioni” të kërkojë nga Komuna arritjen e një marrëveshjeje për shlyerje të borxheve, në të kundërtën thonë se do t’i dërgojnë te përmbaruesi.

“Edhe shkollat i kanë diku 300 mijë ose më tepër, borxhe të grumbulluara dhe nuk e di arsyen pse nuk i paguajnë ato. Por, megjithatë, i kemi intensifikuar problemet dhe po shpresojmë që edhe aty do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët me institucionet e Ferizajt dhe do t’i kryejnë obligimet që i kanë ndaj kompanisë”, ka thënë drejtori i “Bifurkacionit”, Nazif Asllani.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se së shpejti do të shlyhen të gjitha këto borxhe, të cilat janë grumbulluar prej më shumë se dhjetë vjet.

“Kemi shkolla që kanë nga një shumë të grumbulluar, e cila ka ardhur si pasojë edhe e një moskujdesi apo ndonjë rrjedhje, e cila ka ndodhur nga ndonjë prishje apo avarie gjatë punimeve të ndryshme, e të cilat fatkeqësisht pastaj janë regjistruar në orë (ujëmatës) të shkollave dhe kanë krijuar një borxh, të cilin shkollat pastaj kanë pasur telashe për ta përballuar apo ta shlyer deri më tash”, është shprehur për ktv Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Drejtori Llabjani ka njoftuar se kanë mbajtur disa takime me përfaqësues të “Bifurkacionit”, dhe se së shpejti do të arrijnë një marrëveshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat