Objektivi i Ferrarit

Formula 1

Objektivi i Ferrarit

Më: 25 mars 2021 Në ora: 11:59
Objektivi i Ferrarit

Çmimi i Madh i Bahreinit po troket dhe Ferrari po përgatitet të nisë një sezon të ri me disa risi të rëndësishme krahasuar me të kaluarën e afërt. Drejtuesit e Maranellos kanë vendosur t’i besojnë gjithçka pilotit Charles Leclerc, për të tashmen dhe të ardhmen, duke i garantuar atij një rinovim shumëvjeçar të kontratës dhe duke i vënë në krah një pilot mjaft të ri, por tashmë me përvojë, spanjollin Carlos Sainz, që zë vendin e katër herë kampionit të botës, Sebastian Vettel.

Te Ferrari synojnë përmirësimin e performancës së makinës, pas një sezoni për t’u harruar, që u mbyll me një vend të gjashtë zhgënjyes për konstruktorë.

SF1000 provoi se ishte një nga “kokëkuqet” më të dobëta të të gjitha kohërave, kështu që nuk është e lehtë të synosh pozicione të larta, duke marrë parasysh pikënisjen e projektit SF21.

Rregullorja teknike nuk ka pësuar ndryshime të mëdha krahasuar me kampionatin e fundit, teksa pritet të ndodhë një revolucion i vërtetë në vitin 2022, kështu që arritjet në pistë mund të jenë të ngjashme me ato të vitit 2020.

Ferrari ka punuar shumë për të kapërcyer hendekun e motorit në krahasim me rivalët, por ekipet e tjera gjithashtu kanë bërë përparim këtë dimër, kështu që një panoramë e saktë e situatës do të ofrohet vetëm në fund të kualifikueseve të para të sezonit, në Sakhir.

Objektivi real për prodhuesin emilian duhet të jetë arritja e vendit të tretë, menjëherë pas Mercedesit dhe Red Bullit. Një rezultat më i mirë do të ishte shumë befasues dhe do të përfaqësonte një pikënisje të jashtëzakonshme në funksion të një cikli të ri, por konkurrenca është jashtëzakonisht e ashpër dhe duket si një ndërmarrje shumë e vështirë për t’u arritur.

Të mposhtë Alpine, Aston Martin, AlphaTauri dhe McLaren, rivalët e mesit të tabelës, do të jenë e vështirë për Ferrarin, edhe për atë që u kuptua gjatë provave, por ekipi i Maranello do ta luftojë fort, në çdo pistë, deri në garën e fundit të kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat