Vijon “mallkimi”

Formula 1

Vijon “mallkimi”

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 11:43
Vijon “mallkimi”

Vijon “mallkimi” i dëmtimeve për Mark Markezin, që po vendosin në diskutim edhe karrierën e tetë herë kampionit të botës. Piloti i Hondës pasi humbi për shkak dëmtimi garën në Portugali, nuk do të jetë as në eventin e fundit sezonal që do të mbahet këtë fundjavë në Valencia.

Madje, spanjolli do të mungojë edhe në testet e dimërore (18-19 nëntor) në Herez. Dëmtimi që spanjolli pësoi disa ditë më parë duket më i komplikuar sa dukej. Markez ka kryer së fundmi një vizitë më të specializuar në Barcelonë, ku u zbuluan të tjera probleme. Lajmin e ka njoftuar vetë Honda, teksa bën të ditur se piloti ka probleme me shikimin.

“Mark është ndjerë keq pasi kishte probleme me shikimin. Pas një vizite më të detajuar u zbulua se ai vuante nga diplopia, që do të thotë, ai ka shikim të dyfishtë, pra, percepton njëkohësisht dy imazhe të një objekti të vetëm”, shkruan Honda në deklaratën e saj.

Më tej, në komunikatën e skuderisë japoneze thuhet: “Vizita mjekësore evidentoi një paralizë të nervit të katërt të djathtë, që përfshin edhe muskulin e sipërm. Ky është një muskul i dëmtuar edhe në vitin 2011, ndaj piloti është nën kontroll të vazhdueshëm, duke mbyllur para kohe sezonin 2021”, deklaron Honda.

Mark Markez këtë sezon ka arritur që të fitojë 3 gara dhe pozicionohet në vendin e gjashtë në kuotën e 142 pikëve. Kujtojmë që në botërorin e kaluar spanjolli u dëmtua në garën e parë duke humbur të gjithë sezonin për shkak të frakturës në krah, që i kushtoi disa operacione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat