Verstappen “arratiset” në krye

Formula 1

Verstappen “arratiset” në krye

Më: 12 qershor 2022 Në ora: 14:51
Verstappen “arratiset” në krye

Katastrofë është fjala e cila përmbledh më së miri përformancën e Ferrarit në Azerbaixhanit teksa ai që fitoi garën ishte Max Verstappen i cili u nis nga vendi i tretë dhe e përfundoi në shkallën më të lartë të podiumit.

Shenjat se nuk do të ishte një ditë e mirë për “kokëkuqjen” u panë që në start me Sergio Perez i cili parakaloi Cherles Leclerc që u nis nga Pole-Position. Ndërkohë, monegasku i rezistoi sulmeve të Max Verstappen, ndërkohë që në xhiron e katërt, Carlos Sainz tërhiqet nga gara për shkak të problemeve me marshet.

Në vazhdim, Leclerc futet në bokse dhe Verstappen i hapet rruga për të parakaluar Perez e për të marrë kryesimin, ndërsa meksikanit iu bë e qartë nga skuderia se nuk duhej të luftonte ashpër me shokun e skuadrës për të mos rrezikuar përplasjen. Gjithsesi, në xhiron e 20-të kur Leclerc kishte marrë kryesimin e garës pasi Verstappen u fut në bokse, ndodh e papritura.

Motorri i Ferrarit përfundon në tym dhe Leclerc detyrohet të tërhiqet me pilotin holandez dhe Perez që kishin rrugën e hapur për të dërguar Red Bullin te triumfi. Për Verstappen ishte suksesi i parë në pistën e Baku (triumfi i pestë nga tetë gara në këtë sezon), ndërsa tashmë kampioni i Botës në fuqi arratiset në krye të klasifikimit me plot 150 pikë ndërsa ndiqet nga Perez që ka grumbulluar 129 pikë, teksa shpresat e Leclerc për një sukses në këtë Botëror marrin një goditje të madhe me 23-vjeçarin që mbetet në kuotën e 116 pikëve.

Sa i përket pjesës tjetër të pilotëve, një paraqitje e shkëlqyer edhe nga George Russell i Mercedes i cili e mbylli garën në vendin e tretë dhe ruan traditën e këtij sezoni teksa në asnjë prej garave të zhvilluara deri më tani nuk është renditur asnjëherë më poshtë se vendi i pestë. Nga ana tjetër, Hamilton u rendit i katërti, ndërsa pas britanikut u rendit Gasly.

Në vendin e gjashtë Vettel, ndërsa në dhjetëshen e parë përfunduan edhe Alonso, Ricciardo, Norris e Ocon. Jashtë zonës së pikëve, Bottas apo edhe Mick Schumacher.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat