Wolf: Gara po bëhet e mërzitshme

Formula 1

Wolf: Gara po bëhet e mërzitshme

Më: 2 maj 2023 Në ora: 11:23
Wolf

Formula 1 ka nevojë ta zhvendosë vëmendjen nga ndryshimet e shpeshta të formatit dhe të përqendrohet tek përmirësimet që t’i bëjë garat më pak të mërzitshme, ka deklaruar kreu i skuadrës së “Mercedes”-it, Toto Wolff.

Çmimi i Madh i Azerbajxhanit u mbizotërua nga diskutimet dhe debatet mbi orarin dhe formatin garës “sprint” dhe nëse ajo rrezikonte t’ia zbehte rëndësinë garës kryesore të së dielës.

Por mungesa e konkurrencës së fortë në këtë garë të 4-t të Botërorit të këtij sezoni, ka nxjerrë në pah se gjenerata e re e makinave nuk po e ofron atë spektakël që ishte shpresuar kur rregullat e reja hynë në fuqi në 2022-shin.

Dhe Toto Volfi beson se mungesa e spektaklit në Baku duhet t’i mjaftojë Formulës 1 dhe skuadrave për të shqyrtuar se çfarë elementësh nuk po funksionojnë me rregullat që janë në fuqi.

“Kjo nuk ishte edhe aq ngazëllyese”, deklaroi Volfi pas garës nëpër rrugët e Bakusë. “Nuk pati edhe aq parakalime, as ndonjë dallim të madh në shpejtës dhe nuk ofroi ndonjë zbavitje të madhe, - vijoi ai. - Ne duhet ta shqyrtojmë edhe një herë fundjavën me garën e sprintit në përbërje, cilat janë aspektet pozitive që mund të marrim, por, në fund të ditës, gjithçka ka të bëjë me garimin.

Ai ka nevojë për beteja të ashpra dhe mendoj se i vetmi kulm në garën e sprintit të shtunën, ishte kur Xhorxh Rasëlli dhe Maks Verstapeni zhvilluan një betejë midis tyre. Kurse të dielën nuk pati asgjë për t’u veçuar”.

“Edhe nëse je 2 të dhjetat e sekondës pas atij që ke para, është shumë e vështirë, madje thuajse e pamundur për të parakaluar, përderisa piloti që ke përpara të gabojë.

Ne duhet me të vërtetë që ta shqyrtojmë gjithçka dhe të shohim sesi mund të shmangim një garë të mërzitshme”, - përfundoi Toto Volfi, ndërsa, përkundër asaj që ishte pretenduar, makinat e këtij sezoni po e kanë më të vështirë sesa sezonin e shkuar sa i përket ndjekjes së njëra-tjetrës dhe mundësive për parakalim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat