Sharl Lëklerk ka kthyer përsëri buzëqeshjen te Ferrari, ku eksperimenti me Luis Hemilton në këtë sezon deri tani po rezulton gjithnjë e më i dështuar.
Lëklerk sot ka treguar potencialin e tij dhe ambiciet për të mbetur ai numri 1 i skuadrës, duke fituar pole-position në Çmimin e Madh të Hungarisë në pistën në Budapest. Ai la pas dyshen e MekLaren që rivalizon për titull, Piastri-Norris, e cila do të dhurojë padyshim betejë gjatë garës ku makina e tyre është dukshëm më e mirë.
Megjithatë, koha e dhuruar nga piloti i Ferrarit në xhiron e fundit të shpejtë, 1:15.372, tregoi se ai mund të jetë kërcënues për ta e një pretendent i fortë për fitoren në Hungaroring.
Ndërkaq, kishte zhgënjim për Maks Vershtapen, i cili nuk ia doli të arrinte më shumë se vendin e 8 me makinën Red Bull. Por më keq bëri Luis Hemilton me një tjetër kualifikuese për t’u harruar, pasi britaniku i Ferrarit as nuk hyri në 10-shen më të mirë, duke përfunduar provat zyrtare në vendin e 12.