I përgjigjen Elkanit

Formula 1

I përgjigjen Elkanit

Më: 12 nëntor 2025 Në ora: 19:28
Hamilton e Lëklerk

“Rruga është e vështirë dhe është e qartë se vetëm uniteti mund të na ndihmojë të përmbysim situatën në këto tri garat e fundit”, shkruan piloti i Ferrarit, Sharl Lëklerk në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë deklaratave të së hënës nga presidenti Xhon Elkan pas fundjavës zhgënjyese të “kokëkuqes” në Brazil.

“Ishte një fundjavë shumë e vështirë në Sao Paulo.

Është zhgënjyese të kthehemi në shtëpi pa pothuajse asnjë pikë për ekipin, në një moment vendimtar të sezonit, kur po luftojmë për vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve”, pranoi piloti nga Monako.

Pas një fillimi të komplikuar të fundjavës, Lëklerk arriti vendin e tretë në provat zyrtare, por u bë viktimë e aksidentit mes Piastrit dhe Antonelit, duke qenë i vetmi që pësoi dëme serioze dhe u detyrua të tërhiqej pas shpërthimit të gomës.

Kjo ishte tërheqja e tij e dytë në shtatë garat e fundit, pas asaj në Zandvort, e shkaktuar po ashtu nga një kontakt me Antonelin, i cili atëherë u shpall fajtor për incidentin.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Luis Hamilton, i cili në rrjetet sociale postoi këtë mesazh: “Unë mbështes skuadrën time.

Mbështes edhe veten. Nuk do të dorëzohem. As tani, asnjëherë. Nuk ishte gara që dëshironim, sidomos pas disa përmirësimeve që kishim bërë”.

Piloti britanik, në deklaratat e tij pas garës, e quajti këtë periudhë “një makth” në lidhje me sezonin e tij të parë me Ferrarin. Edhe Hamilton u detyrua të tërhiqej pas dy përplasjesh në xhirot e para të garës në Brazil, diçka që nuk i kishte ndodhur në Interlagos që prej vitit 2012, ditën e fundit të tij si pilot i MekLarenit. Kujtojmë që Elkan u tregua i drejtpërdrejtë dhe i ashpër në deklaratat e tij pas garës në Brazil, ku ndër të tjera deklaroi:

“Duke parë kampionatin e Formulës 1, mund të themi se nga njëra anë kemi mekanikët tanë që me performancat e tyre në ‘pole position’ dhe në ‘pit stop’-e, po tregojnë se janë ndër më të mirët.

Po të shohim inxhinierët, nuk ka dyshim se makina është përmirësuar.

Por pjesa tjetër nuk ka qenë në lartësinë e duhur, një zhgënjim i madh. Pilotët të përqendrohen në drejtim dhe të flasin më pak. Ende kemi disa gara përpara dhe nuk është e pamundur të arrijmë vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat