Ashtu si në sesionin e parë të provave të lira, Lando Norris doli sërish më i shpejti edhe në sesionin e dytë, këtë herë me një diferencë shumë më të madhe: nga vetëm tetë mijta në plot 363 mijtat ndaj Maks Vershtapenit.
Piloti i MekLarenit i dhuron vetes një të premte perfekte në “Yas Marina” për Çmimin e Madh të Abu Dabit, duke e hedhur shikimin nga titulli kampion në Formula 1.
Xhorxh Rasëll regjistroi kohën e tretë më të shpejtë, 379 mijtat pas Norrisit. Piloti i Mercedesit la pas Oliver Bearman, i cili me Has-Ferrarin u rendit i katërti me +0.418, ndërsa Niko Hulkenberg (+0.467) me makinën Kik Sauber kompletoi pesëshen e parë në sesionin e dytë të provave të lira. Makina Sauber shkëlqeu edhe me Gabriel Bortoleton (+0.487), i cili u rendit në vendin e gjashtë.
Për skuadrën zvicerane, ky është Çmimi i Madh i fundit para transformimit të plotë në Audi. Ndërkohë, e premte e dobët për Oskar Piastrin, i cili mbeti vetëm i njëmbëdhjeti: pasi u zëvendësua në FP1 nga debutuesi meksikan Pato O’Uard. Australianit i MekLarenit ishte 680 mijta larg shokut të skuadrës. Ferrari bëri një hap pas në sesionin e dytë, teksa në garën e tij të 150-të me “kokëkuqen”, shoqëruar edhe me kokore speciale, Sharl Lëklerk kaloi nga vendi i tretë në FP1 në vendin e tetë në FP2, duke humbur 575 mijta ndaj Norrisit.
Para tij u rendit Isak Haxhar (Racing Bulls, +0.574), ndërsa pas tij u pozicionuan Fernando Alonso me Aston Martin (+0.625) dhe Mercedesi i Andrea Kimi Antonelit (+0.667), i cili kishte qenë i katërti në sesionin e parë. Luis Hamilton, i zëvendësuar në FP1 nga debutuesi Artur Lëklerk, e nisi fundjavën me kohën e 14-të, 856 mijta larg kreut.