Ferrari lë plotësisht pas njëvendëshen “SF-25”, makinën me të cilën as Sharl Lëklerk dhe as Luis Hamilton nuk arritën të fitojnë gara (me përjashtim të Sprintit të Kinës nga britaniku).
Skuadra italiane shpreson të rikthehet mes ekipeve të forta dhe dominuese, të paktën për të rifituar një pjesë të prestigjit që historikisht i takon në në F1.
Sipas analizës teknike nga Rosario Xhuliana, njëvendëshja e Ferrarit për sezonin 2026 “do të ketë pak ose aspak të përbashkëta” me paraardhësen e saj, pasi “ekipi synon të korrigjojë gabimet e makinës së vitit 2025”.
Eksperti sqaron se problemet kryesore ishin të përqendruara në pjesën e pasme të makinës. “SF-25” ishte “projektuar qëllimisht me më shumë ngarkesë aerodinamike në pjesën e përparme për t’iu përshtatur stilit të drejtimit të Lëklerkut”, shpjegon ai.
Ndërkohë, Hamilton, stili i të cilit vuan nga një pjesë e pasme e paqëndrueshme, ndryshe nga ai i monegaskut, e përjetoi si një torturë sezonin e tij të parë me Ferrarin. Britaniku përfundoi i dëshpëruar, u eliminua tre herë në Q1 dhe mezi priste mbylljen e vitit në Abu Dabi.
Ferrari modifikoi pezullimin e pasmë në Çmimin e Madh të Belgjikës (në gusht, edhe pse ishte planifikuar për qershor), “çka solli disa përmirësime në stabilitet, por pa një rritje të ndjeshme të performancës krahasuar me rivalët”, thekson Xhuliana.
Skuadra hoqi dorë nga planet për të prezantuar një dysheme të re rreth muajit shtator, pasi u fokusua plotësisht te projekti i vitit 2026. Çdo element u rishikua dhe u braktis nëse nuk shërbente për ndryshimin e madh të rregullores. Ndërkohë, Lëklerk e ka cilësuar vitin 2026 si vendimtar për Ferrarin.
“Viti i ardhshëm do të jetë kyç”, deklaroi ai në Çmimin e Madh të Abu Dabit, garën e fundit të sezonit. “I gjithë ekipi është shumë i motivuar, sepse bëhet fjalë për një ndryshim të madh dhe një mundësi të jashtëzakonshme për të treguar se çfarë është i aftë të bëjë Ferrari.
Pra, jemi në pikën ‘tani ose kurrë’, ndaj shpresoj sinqerisht që ta nisim këtë epokë të re në mënyrën e duhur, sepse do të jetë vendimtare për katër vitet e ardhshme”, tha Lëklerk. “Pas garës së gjashtë ose të shtatë, mendoj se do të kemi një ide mjaft të qartë se cilat ekipe do të dominojnë katër vitet pasuese”, deklaroi piloti monegask, duke iu referuar asaj faze kyçe që edhe Fernando Alonso e ka theksuar më herët.