Dilema e madhe

Formula 1

Dilema e madhe

Më: 23 dhjetor 2025 Në ora: 22:06
Makina

Numri që tregon raportin e kom presionit të njësive të fuqisë është kthyer në termin më të përfolur në Formula 1 në prag të sezonit të shumëpritur 2026.

Viti i ndryshimeve të mëdha dhe i një “flete të bardhë” për të gjitha skuadrat, ku Mercedesi po tremb rivalët me një zgjidhje teknike (rritjen e raportit të kompresionit në 18:1) që pak guxojnë ta ndjekin.

Ashtu si në epokën hibride me turbokompresorin e ndarë, “shigjetat e argjendta” po mbjellin sërish panik dhe njëkohësisht po e fusin Formulën 1 në vështirësi. Aftësia për të ndryshuar në kohë reale raportin e kompresionit është kthyer në dhimbjen më të madhe të kokës për skuadrat. Kjo çështje i është paraqitur FIA-s, e cila tani duhet të marrë një vendim në një situatë mjaft delikate.

Të shpallësh të paligjshëm të gjithë motorët Mercedes nuk duket e lehtë, duke qenë se sezoni është shumë pranë dhe zhvillimi teknik është pothuajse i përfunduar. Nga ana tjetër, as lejimi i kësaj zgjidhjeje pa reagime nuk duket si opsioni më i mirë, pasi do të nxirrte në pah pakënaqësinë e skuadrave të tjera. Ndërsa ende pritet një drejtim i qartë zhvillimi për të ardhmen, mendimi që përsëritet më shpesh mes ekspertëve është arritja e një marrëveshjeje.

Nga Italia, “Corriere dello Sport”, media e lidhur ngushtë me Ferrarin, raporton se mund të ketë një kompromis që do t’i lejonte Mercedesit të përdorë motorin aktual, me kushtin që ta përshtatë atë në vitin 2027. Ekspertë të tjerë, ndërkohë, sugjerojnë zgjidhje të ndërmjetme. Konkretisht, Mercedes furnizon tetë makina në pistë: dy zyrtaret (Rasëll dhe Antoneli), Uilliams (Sainz dhe Albon), Alpine (Kolapinto dhe Gasli) si dhe kampionët në fuqi, MekLaren (Norris dhe Piastri).

Që nga gara e parë në Albert Park mund të paraqiten ankesa, por një skualifikim masiv nuk duket si skenari më i mundshëm. Cilido qoftë vendimi, Formula 1 e vitit 2026 është futur në telashe pa parë ende asnjë makinë në pistë. Zakonisht avantazhet shfaqeshin gjatë testeve të para, por tani ato duken që nga fabrikat.

Një situatë që kujton momente kyçe të epokës moderne: difuzorin e dyfishtë të Braun GP, difuzorin e fryrë që Adrian Njuei solli te Red Bulli, apo sistemin e amortizimit të masës që i dha një shtysë vendimtare makinës Renault R26 të Fernando Alonsos. Në vitin 2026, frika vjen shumë më herët, para se të shohim ndonjë veprim në pistë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat