Prova e parë reale me makinat e reja të Formula 1 ka sjellë një mori kritikash.
Nuk është aspak çudi që menjëherë kanë dalë në skenë kundërshtarët e zëshëm të këtij ndryshimi revolucionar në rregulloren teknike.
Që gjatë testeve parasezonale u dëgjuan komente negative nga disa prej figurave kryesore të “Cirkut të Madh”. Ai që reagoi më ashpër ishte katër herë kampioni i botës Maks Vershtapen, i cili i etiketoi njëvendëshet e këtij sezoni me një slogan përçmues që shumë tifozë e mbajnë mend: “
Kjo është Formula E me steroide”, deklaroi piloti i Red Bullit në Bahrein.
Megjithatë, ajo që ndodhi në “Albert Park Circuit” i dha edhe më shumë argumente kritikëve të këtij koncepti të ri të F1.
Por ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe.
Gjithçka varet edhe nga fakti nëse ndryshimet të favorizojnë apo jo, dhe duket se për Luis Hamiltonin ato kanë qenë mjaft pozitive.
Britaniku ka kaluar nga një sezon i vështirë, ku vitin e kaluar nuk arriti asnjë podium në sezonin e tij të parë me Ferrarin, në një situatë ku tani ka shanse reale për të luftuar për podium me makinën SF26.
Prandaj shtatë herë kampioni i botës nuk hezitoi ta cilësonte si një spektakël të shkëlqyer garën e parë të sezonit 2026 të Formula 1.
LUIS E SHIJOI NË MAKSIMUM – “Mua personalisht më pëlqeu shumë gara. M’u duk shumë argëtuese. Makina ishte vërtet kënaqësi për t’u drejtuar. Shikoja makinat përpara dhe besoj se pati beteja shumë të mira në pistë. Pra, për momentin, gjithçka është shumë mirë”, deklaroi Hamilton.
Ky mendim i pilotit nga Stevenage bie në kontrast të fortë me atë të Maks Vershtapenit dhe Lando Norrisit, të cilët kritikuan makinat e reja që debutuan në pistën e Melburnit. Por Hamilton nuk u shqetësua aspak nga këto komente. “Nuk e di pse ankohen kaq shumë. Duhet t’i pyesni ata. Mua më dukej fantastike. Madje do të doja që gara të kishte qenë më e gjatë. Po të kishte zgjatur edhe pak, do të kisha përfunduar i treti”, shtoi britaniku. Hamilton e mbylli garën në vendin e katërt, pas nisjes nga pozicioni i shtatë. Podiumi u përbë nga dy pilotët e Mercedesit, Xhorxh Rasëll dhe Kimi Antoneli, si dhe shoku i skuadrës së Hamiltonit te Ferrari, Sharl Lëklerk.
LËVDATA PËR FERRARI – Hamilton shfrytëzoi rastin edhe për të lavdëruar skuadrën e tij.
“Në përgjithësi jam shumë krenar për ekipin. Ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për ta çuar makinën në këtë nivel. Sigurisht që nuk jemi aq të shpejtë sa Mercedesi dhe kemi ende shumë punë për të bërë, por jemi në garë”, tha ai për “Sky Sports F1”. Më pas britaniku përsëriti edhe një herë:
“Ishte një garë shumë argëtuese dhe u ndjeva shumë mirë në makinë. Me disa xhiro më shumë do ta kisha arritur Sharlin.
Ritmi im ishte shumë i mirë. Kishte shumë gjëra pozitive për të marrë nga Australia. Gjatë gjithë fundjavës isha i fortë. Kualifikueset nuk treguan ritmin tim të vërtetë sepse patëm disa probleme dhe për këtë arsye nisa më prapa nga sa duhej”.
Sipas tij, objektivi i radhës është i qartë: të afrohen me Mercedesin. “Nuk e shoh si diçka të pamundur. Besoj se mund ta ulim diferencën. Nuk do të jetë e lehtë sepse kemi shumë punë përpara, sidomos në një xhiro të vetme. Duhet të kuptojmë nëse problemi lidhet me fuqinë apo baterinë.
Në kthesa makinat janë po aq të shpejta, ndaj duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara”, theksoi britaniku, fitues i 105 garave në karrierë.