Pas ndërprerjes së gjatë të Formula 1 për shkak të shtyrjes (të përkohshme) të Çmimeve të Mëdha të Lindjes së Mesme në Sakir dhe Xhedah, Botërori 2026 do të rikthehet në Majami, një pistë që në vitin 2025 i solli një nga momentet e pakta pozitive sezonit të kaluar të Luis Hamilton.
Në kushtet e shiut të rrëmbyeshëm gjatë sprintit në Florida, britaniku siguroi podiumin e tij të dytë në gara të shkurtra.
Ishte hera e fundit që ai përfundoi në top-3 gjatë një sezoni shumë të vështirë.
Një vit më vonë, gjithçka ka ndryshuar. Rikthimi i Hamiltonit është një fakt, edhe pse në Japoni nuk arriti të përfshihej plotësisht në betejë, pavarësisht avantazhit që i dha makina e sigurisë.
Britaniku renditet i katërti në kampionat me 41 pikë, vetëm 8 pikë pas Sharl Lëklerkut, shokut të tij të skuadrës te Ferrari, ndërsa të dy ndjekin Mercedesët e Antonelit (72 pikë) dhe Rasëllit (63 pikë).
Në aspektin teknik, Ferrari premton shumë, siç e paralajmëroi Vasër, duke lënë të kuptohet se “po fillon një kampionat i ri”. Një faktor që tashmë është fituar është rikthimi i Hamiltonit në formën e tij më të mirë.
Piloti i dha fund një serie negative pa podiume të dielave që nga Las Vegas 2024 deri në Kinë 2026. Tani ka ndryshuar gjithçka, që nga përshtatja me rregulloret (“më kujton kartingun”) deri te drejtimi që po ndjek Ferrari.