Fred Vasseur është disi i irrituar me shtypin, veçanërisht me mediat italiane, duke gjykuar nga intervista e tij me Canal+ në Sepang dhe në këtë pikë, ai gjen një aleat te Lewis Hamilton. Britaniku duket se është rreshtuar plotësisht me qëndrimin e shefit të skuadrës Ferrari gjatë fundjavës së fundit të garës në Malajzi
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 shpjegoi se sa destabilizuese janë spekulimet e mediave për atmosferën në Maranello: “Sa më përket mua unë nuk i lexoj të gjitha ato gjëra, kështu që ato nuk kanë asnjë ndikim tek unë. Por natyrisht, kur hyn në një dhomë dhe i sheh titujt është e qartë se si ndikojnë te anëtarët e veçantë të ekipit”.
“Çdo fundjavë, ata përpiqen të vijnë në pistë dhe të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe pse jo gjithmonë ia dalin mbanë. Kur familja të dërgon mesazhe për atë që po lexojnë në gazeta nuk ka asgjë që mund të bësh. Njerëzit në fabrikë i lexojnë të gjitha ato gjëra dhe kjo krijon përshtypjen se nuk po bëjnë asgjë siç duhet, edhe pse po japin maksimumin“, tha Hamilton.
“Mesazhi që dua të përcjell është të mos lexoni asgjë nga ato që shkruhen sepse asnjë nga njerëzit që i shkruajnë ato artikuj nuk e ka idenë më të vogël se për çfarë po flet, meqenëse nuk janë pjesë e ekipit. Ata nuk e dinë se çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura. Nuk e dinë se sa shumë po punojnë të gjithë”, tha Hamilton.
“Gjithçka bazohet në supozime dhe opinione. Është irrituese ta shohësh këtë. Ajo që do të bëjmë është të vazhdojmë të përqendrohemi te kryerja e punës sa më mirë të jetë e mundur, pavarësisht asaj që shkruhet. Do të arrijmë aty ku duam të jemi”, shtoi më tej piloti britanik.
“E dija se në vitin e dytë nuk do të ishim aty ku donim, por shpresoj që, me punën e palodhur të të gjithëve, ndoshta vitin e ardhshëm mund të arrijmë aty ku duam,” përfundoi Lewis Hamilton.