Haaland mezi pret duelin me Arsenalin: Është gjithmonë kënaqësi të luash kundër Gabrielit

Futboll

Haaland mezi pret duelin me Arsenalin: Është gjithmonë kënaqësi të luash kundër Gabrielit

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 16:54
Erling Haaland dhe Gabriel

Erling Haaland mezi pret përballjen e radhës me Arsenalin, por pranon se Manchester City duhet të përmirësojë ndjeshëm paraqitjen e tij nëse dëshiron të marrë rezultat pozitiv në Emirates.

Sulmuesi norvegjez është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide, pasi një humbje ndaj liderit të Premierligës do ta linte Cityn nëntë pikë prapa Arsenalit në garën për titull.

Një nga duelet më interesante të kësaj përballjeje pritet të jetë ai mes Haalandit dhe mbrojtësit Gabriel, me të cilin sulmuesi i Cityt ka pasur përballje të shumta në të kaluarën.

“Është gjithmonë mirë të luash kundër skuadrave më të mira. Arsenali ka qenë skuadra më e mirë gjatë vitit të fundit dhe njëra prej më të mirave në pesë vitet e fundit. Po, është gjithmonë kënaqësi të luash kundër Gabrielit”, ka deklaruar Haaland për faqen zyrtare të klubit.

Megjithatë, norvegjezi theksoi se skuadra e tij duhet të paraqitet shumë më mirë për të shpresuar në rezultat pozitiv.

“Duhet të luajmë më mirë. Të dielën na nevojitet një paraqitje e nivelit më të lartë. Është ndeshja më e vështirë e sezonit, pasi luajmë në udhëtim kundër kampionit. Na duhet që të gjithë të japin maksimumin për të marrë diçka nga kjo ndeshje”, shtoi ai.

Manchester City nuk po kalon një periudhë të mirë, pasi kishte regjistruar katër ndeshje radhazi pa fitore në Premierligë, përpara barazimit 2:2 ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca u gjend dy herë në disavantazh, ndërsa Rayan Cherki siguroi një pikë për vendasit me një aksion individual mbresëlënës, katër minuta para fundit.

Trajneri Maresca pranoi se ekipi i tij po kalon një periudhë të vështirë, veçanërisht në aspektin defensiv.

“Në dhjetë ndeshjet e para nuk pësonim gola dhe gjithmonë shënonim të parët. Tani situata është krejtësisht e kundërt”, deklaroi ai.

Arsenali kryeson tabelën e Premierligës me 28 pikë pas 11 xhirove, ndërsa Manchester City renditet në pozitën e tretë me 22 pikë, aq sa ka edhe Brightoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat