Sulmuesi kolumbian Cucho Hernández ishte protagonist absolut në fitoren e Betisit në Bratislavë, duke shënuar dy gola në triumfin 2:0 ndaj Slovan Bratisllavës në Ligën e Kampionëve.
Cucho Hernandez u rikthye në formacionin titullar pas rikuperimit nga dëmtimi në zonën e muskulit soleus të këmbës së majtë, të cilin e pësoi në mesin e tetorit në ndeshjen kundër Barcelonës.
Rikthimi i tij ishte spektakolar. Me dy goditje me kokë, sulmuesi siguroi tri pikët për skuadrën e Manuel Pellegrinit dhe e afroi Betisin me kualifikimin në fazën e 24 skuadrave më të mira.
Me këta dy gola, Cucho arriti kuotën e 25 golave me fanellën e Betisit. Ai gjithashtu u bë kolumbiani i parë që shënon dopietë për një skuadër spanjolle në Kupën e Evropës.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, për më tepër, me tre gola në Champions League, ai barazoi rekordin e Ricardo Oliveiras si golashënuesi më i mirë i Betisit në këtë kompeticion.
Paraqitja e tij nuk u kufizua vetëm te golat. Në 63 minuta lojë, kolumbiani tregoi vizion, shpejtësi, aftësi në driblim dhe pasime të rrezikshme për shokët e skuadrës.
"Jam i lumtur për golat. Nuk jam shumë i gjatë për të pasur statistika kaq të mira me kokë, por e kam stërvitur shumë mirë kohën e kërcimit", deklaroi Cucho pas ndeshjes.
Pellegrini i kënaqur me rikthimin
Trajneri Manuel Pellegrini u shpreh i kënaqur me paraqitjen e sulmuesit, duke shpjeguar se ai nuk ishte ende në gjendje të luante shumë minuta.
"Po rikuperohej dhe nuk ishte gati për shumë minuta. Jam i lumtur që arriti të shënonte dy gola", deklaroi trajneri kilian.
Pellegrini gjithashtu paralajmëroi se skuadra nuk duhet të kënaqet me atë që ka arritur, pasi kanë mbetur edhe tri ndeshje dhe nëntë pikë në dispozicion.