Henry paralajmëron: Real Madridi po përmirësohet dukshëm

Futboll

Henry paralajmëron: Real Madridi po përmirësohet dukshëm

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 13:51
Legjenda franceze e futbollit, Thierry Henry

Legjenda franceze e futbollit, Thierry Henry, ka shprehur admirimin e tij për nivelin që po tregon Real Madridi nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho, pas fitores spektakolare në Ligën e Kampionëve ndaj PSV-së.

Ish-sulmuesi beson se gjigantët spanjollë kanë gjithçka që nevojitet për të qenë ndër favoritët kryesorë për triumfin në kompeticionin më prestigjioz evropian këtë sezon.

Real Madridi përmbysi disavantazhin dhe triumfoi me rezultatin e thellë 5:1 ndaj PSV-së, duke ruajtur rekordin perfekt në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, me pesë fitore në pesë ndeshje.

Ky sukses ka rritur besimin në dhomat e zhveshjes, por edhe ka impresionuar opinionistët, sidomos për shkak të përmirësimit të dukshëm të skuadrës në ndeshjet e fundit.

Duke folur në emisionin e “CBS Sports”, Henry analizoi progresin e madrilenëve dhe theksoi se forma aktuale i bën ata kandidatë seriozë për fitimin e Ligës së Kampionëve.

Sipas raportimit të “Foot Mercato”, ish-ylli i Arsenalit dhe Barcelonës deklaroi: “Real Madridi zhvilloi një ndeshje fantastike dhe, në këtë nivel, është ndër favoritët kryesorë për të fituar Ligën e Kampionëve. Skuadra po përmirësohet dukshëm nga java në javë. Diçka e veçantë po ndodh te Real Madridi. Kujdes”!

Henry nuk ishte i vetmi që vlerësoi punën e Mourinhos. Edhe anglezi Jamie Carragher iu bashkua lavdërimeve, duke theksuar se trajneri portugez e ka rikthyer skuadrën në rrugën e duhur pas periudhës së vështirë që pasoi humbjen ndaj Atletico Madridit.

Për Carragherin, fitorja në El Clasico ndaj Barcelonës ishte pika e kthesës. Mourinho përballoi kritikat dhe presionin, riktheu Real Madridin në nivelin e tij dhe rezultatet në Ligën e Kampionëve nuk kanë munguar.

Henry vlerëson edhe personalitetin e Jude Bellinghamit

Henry veçoi gjithashtu mesfushorin anglez Jude Bellingham, duke e vlerësuar për paraqitjet dhe personalitetin e tij.

Bellingham pati një rol të rëndësishëm në përmbysjen e Real Madridit ndaj PSV-së. Ai u aktivizua në pjesën e dytë, ndryshoi ritmin e lojës dhe ndihmoi skuadrën drejt fitores.

Francezi u shpreh i impresionuar nga cilësitë teknike dhe karakteri i mesfushorit. Sipas tij, mbajtja e fanellës me numrin 5 te Real Madridi, numrit që dikur e kishte legjenda Zinedine Zidane, mbart një përgjegjësi të madhe, por Bellingham ka ditur ta përballojë këtë presion.

Duke mbrojtur anglezin nga kritikat që ka marrë në vendlindjen e tij, Henry deklaroi: “Bellingham është një futbollist i jashtëzakonshëm për mënyrën se si luan. Të mbash numrin 5 te Real Madridi nuk është e lehtë, por ai e bën të duket sikur është diçka e thjeshtë. Personaliteti i tij është fantastik”.

Ai shtoi: “Nuk mund ta besoj që njerëzit në vendin e tij kishin dyshime për të. Por ai u është përgjigjur kritikëve me atë që po bën tani, si dhe në Kupën e Botës. Ai gjithmonë përgjigjet me qëndrimin dhe paraqitjet e tij”.

Këto janë vlerësime të mëdha për Bellinghamin, i cili është shndërruar në një prej futbollistëve më të vëzhguar te Real Madridi.

Anglezi ka dëshmuar se di ta përballojë presionin dhe të bëjë diferencën në momentet vendimtare. Kritikat nuk ia kanë zbehur aspak ndikimin në fushën e lojës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat