“Ajo që ndodh në Las Vegas, mbetet në Las Vegas”. Kështu bëri shaka Mourinho në “Movistar”, kur u pyet për atë që kishte ndodhur në dhomën e zhveshjes gjatë pushimit mes dy pjesëve.
Trajneri nuk deshi të hynte në detaje, por futbollistët e tij lanë disa të dhëna. Courtois konfirmoi se trajneri ua kishte shfaqur disa pamje në ekran, ndërsa Valverde pranoi se skuadra duhej të bënte një hap përpara pas pjesës së parë, në të cilën i kishte munguar intensiteti.
Përtej sinjaleve që dhanë lojtarët, mediumi spanjoll “Marca” ka arritur të rindërtojë atë që Mourinho dëshironte të korrigjonte gjatë pushimit dhe mënyrën se si e përgatiti materialin që ua shfaqi futbollistëve në dhomën e zhveshjes.
Biseda e tij nuk u kufizua vetëm në qortime. Portugezi shfrytëzoi pamjet filmike për të bërë edhe disa korrigjime konkrete taktike.
Ai kërkonte një presion shumë më agresiv ndaj daljes me top të PSV-së nga mbrojtja, veçanërisht për të mos lejuar që skuadra holandeze të përparonte lehtësisht përmes qendrës së fushës, nëpërmjet mesfushës.
Pikërisht nga ato hapësira erdhën disa prej golave.
Gjithashtu, ai kërkoi që më shumë futbollistë të depërtonin dhe të pozicionoheshin në zonën e vogël, në mënyrë që t'ia vështirësonin mbrojtjen kundërshtarit.
Real Madridi kishte shfaqur një lojë tepër statike, me lojtarë të pozicionuar në mënyrë të ngurtë, dhe kishte nevojë për më shumë lëvizshmëri dhe agresivitet.
Pas asaj ndërhyrjeje qëndronte një punë e përgatitur që gjatë zhvillimit të vetë ndeshjes.
Ekipi i analistëve të Mourinhos përgatit pamje të shkurtra filmike në kohë reale, në mënyrë që trajneri të ketë në dispozicion pamje të gabimeve dhe veprimeve të mira të skuadrës sapo të mbërrijë pushimi mes pjesëve.
Kështu, portugezi mundi të përzgjidhte me shpejtësi aksionet që dëshironte t'ua shfaqte futbollistëve të tij.
Biseda në dhomën e zhveshjes pati edhe dozën e saj të zemërimit.
Bellingham nuk e fshehu faktin se trajneri portugez ua kishte tërhequr vërejtjen me tone të ashpra futbollistëve.
“Ishte paksa i zemëruar, por kjo është normale. Ai është një trajner i nivelit shumë të lartë dhe pret shumë më tepër nga ne”, shpjegoi anglezi.
Ndërkohë, Courtois zbuloi një detaj thelbësor për metodën që kishte zgjedhur Mourinho:
“Me pamjet që na tregoi në ekran, gjithçka ishte shumë e qartë”.
Dhe pikërisht këtu qëndronte sekreti i këtij ‘zjarri’ në dhomën e zhveshjes.
Mourinho kishte përgatitur materialin së bashku me analistët e tij, në mënyrë që futbollistët të mund t'i shihnin me sytë e tyre, dhe jo vetëm t'i dëgjonin, gjërat që nuk po funksiononin në lojën e skuadrës.
Biseda e Mourinhos ua kishte vënë futbollistëve gabimet përpara syve, ndërsa pjesa e dytë shërbeu për t'i korrigjuar të gjitha problemet.