Javier Pastore ka luajtur si për Paris Saint-Germainin, ashtu edhe për Romën, përpara përballjes së tyre në Ligën e Kampionëve.
Ish-mesfushori ofensiv i kombëtares së Argjentinës deklaroi për gazetën “La Gazzetta dello Sport”: "Kam një marrëdhënie të mrekullueshme me PSG-në, por për mua ishte gjithashtu një ëndërr të vishja fanellën e Romës, pavarësisht problemeve që kisha me ijën. Parashikimi im? Do të jetë një ndeshje emocionuese. Le të fitojë skuadra më e mirë”.
“Gjithmonë i kam admiruar Douen dhe Kvaratskhelian, i cili fatkeqësisht nuk do të jetë i pranishëm, por edhe Mendeshin dhe Hakimin, të cilët janë mbrojtësit e krahut më të mirë në botë, si në aspektin defensiv, ashtu edhe në atë ofensiv.
Më pëlqen gjithçka edhe te Neves. Ai është një futbollist shumë i veçantë, i cili ndoshta nuk bie menjëherë në sy, por e ndihmon skuadrën ta rifitojë topin dhe ta ndërtojë lojën nga prapavija. Ai krijon hapësira dhe raste gjatë posedimit të topit, kërkon pasime inteligjente dhe depërton në pozita për shënim, madje shënon edhe me kokë. Është një futbollist i kompletuar”.
“Te Roma, Dybala është kënaqësi për t'u shikuar, për shkak të mënyrës se si luan. Ai është i rrezikshëm në çdo pjesë të fushës.
Malen këtë vit ka qenë më i mirë se të gjithë sulmuesit e tjerë. Është edhe Soule, një futbollist ndryshe, me shumë teknikë dhe klas në driblime dhe në shënimin e golave.
Kur Malen është në një formë të tillë, pothuajse çdo top i dërguar në zonën e rreptësisë përfundon me gol, ndërsa është shumë i vështirë për t'u ndalur.
Dybala është i rrezikshëm në çdo situatë, qoftë nga goditjet e lira, goditjet nga jashtë zonës së rreptësisë, asistimet apo goditjet drejt këndit të sipërm të portës. Këta janë futbollistë që zakonisht japin diçka më shumë në ndeshje të tilla”.
Për shkak të lëndimeve të Doue dhe Kvaratskhelias, trajneri Luis Enrique pritet ta aktivizojë të riun Mayulu në njërin krah të Dembeles, ndërsa në krahun tjetër pritet të luajë Akliouche ose Godts.
Formacionet e mundshme
Gasperini nuk mund të llogarisë në Pellegrinin, ndërsa për shkak të lëndimit ka humbur edhe Renschin.
Në garën për një vend në repartin ofensiv, Dybala është përpara Moras për ta plotësuar treshen e sulmit, së bashku me Malen dhe Soulen.
Ndërkohë, Molina dhe Lulli janë në garë për pozitën në krahun e djathtë.
Ndeshjen në stadiumin “Parc des Princes” në Paris do ta drejtojë gjyqtari suedez Glenn Nyberg.
Asistentët e tij do të jenë bashkëkombësit Mahbod Beigi dhe Andreas Soderkvist. Adam Ladeback do të jetë gjyqtar i katërt, ndërsa në sistemin VAR do të jenë gjermani Bastian Dankert dhe polaku Tomasz Kwiatkowski.
Paris Saint-Germain (4-3-3): Safonov; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Mendes; Neves, Vitinha, Ruiz; Akliouche, Dembelé, Mayulu.
AS Roma (3-4-1-2): Svilar; Mancini, N'Dicka, Hermoso; Molina, Cristante, Koné, Wesley; Soulé; Malen, Dybala.