Schar rrëfen periudhën më të vështirë: Kisha dyshime nëse mund të vazhdoja fare

Futboll

Schar rrëfen periudhën më të vështirë: Kisha dyshime nëse mund të vazhdoja fare

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 11:23
Fabian Schar, 86-herë reprezentuesi i Zvicrës

Fabian Schar ka rrëfyer periudhën më të vështirë të karrierës së tij futbollistike, duke pranuar se komplikimet pas lëndimit në janar të këtij viti e kishin bërë të dyshonte nëse do të mund të rikthehej në nivelin e mëparshëm.

Më 7 janar 2026, mbrojtësi zviceran u lëndua në ndeshjen e Premierligës mes Newcastle Unitedit dhe Leeds Unitedit, duke dëmtuar kyçin e këmbës së majtë. Fillimisht, pas operacionit në ligamente, pritej që 86-herë reprezentuesi i Zvicrës të mungonte rreth tre muaj.

Megjithatë, një infeksion dhe komplikimet e tjera gjatë rehabilitimit bënë që Schar të qëndronte shumë më gjatë jashtë fushave të futbollit.

Në një intervistë për “SRF Sport”, 34-vjeçari ka folur për periudhën më të vështirë të karrierës së tij dhe është shprehur edhe për mundësinë e rikthimit në futbollin zviceran.

Në shtator, më shumë se tetë muaj pas lëndimit, Schar u rikthye në fushë me Newcastle. Ai pranoi se ky moment ishte më i veçantë se herët e tjera.

“Është më e veçantë se herët e tjera. Të dish se çfarë ke kaluar për të arritur sërish në fushë, të bën të ndjesh diçka të veçantë. Mundohesh ta vlerësosh edhe më shumë këtë moment dhe të mos e marrësh si diçka të mirëqenë”, ka thënë Schar.

Mbrojtësi zviceran pranoi se gjatë rehabilitimit kishte pasur momente kur dyshonte nëse karriera e tij futbollistike mund të vazhdonte.

“Po, kjo ka ndodhur vërtet. Komplikimet nuk ishin aspak të lehta. Në atë periudhë dyshoja nëse do të mund të funksiononte sërish gjithçka si më parë. Por nuk u dorëzova dhe u përpoqa të mbaja në mendje diçka pozitive. Zgjatja e kontratës nga Newcastle më dha qetësinë e nevojshme”, u shpreh ai.

Newcastle ia zgjati kontratën deri në verën e vitit 2027, pavarësisht pasigurisë rreth rikuperimit të tij. Schar e konsideron këtë një shenjë të rëndësishme vlerësimi nga klubi.

“Definitivisht ishte një shenjë vlerësimi. Klubi e di se çfarë ka tek unë. Para lëndimit isha në formë të mirë dhe luaja shumë. Megjithatë, nuk ishte se Newcastle ma zgjati kontratën ditën e parë pas lëndimit.

Edhe për klubin ishte fillimisht një çështje që duhej shqyrtuar. Nuk jam më i ri. Veçanërisht në Premierligë, nuk është e lehtë të marrësh një kontratë të re në moshën time”, tha Schar.

34-vjeçari, i cili është në sezonin e nëntë te Newcastle, e konsideron klubin dhe qytetin si shtëpinë e tij të dytë.

“Shumë. Kur qëndron kaq gjatë në një klub, jo vetëm klubi, por edhe qyteti të bëhet i dashur. Njerëzit këtu jetojnë për Newcastle Unitedin. Ndihem jashtëzakonisht mirë këtu dhe për mua është bërë një shtëpi e dytë”, theksoi ai.

Schar foli edhe për fillimin e sezonit të Newcastle, duke pranuar se skuadra nuk është e kënaqur me rezultatet e deritanishme.

“Nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si ka shkuar deri tani. Megjithatë, ishte e qartë se nuk do të ishte një sezon në të cilin, si në të kaluarën, do të mund të konkurronim për vendet që dërgojnë në Ligën e Kampionëve. Duhet ta pranojmë realitetin dhe të bëhemi sa më shpejt më të qëndrueshëm”, deklaroi futbollisti zviceran.
Newcastle të shtunën mbrëma do të përballet në shtëpi me liderin Arsenal, në një ndeshje të rëndësishme të Premierligës.

“ Ndeshje të tilla të mëdha, nën ndriçimin e stadiumit, janë gjithmonë të veçanta. Në shtëpi kemi përjetuar disa mbrëmje të bukura dhe të mira. Arsenali aktualisht është skuadra më e mirë në Angli. Por, me tifozët tanë në krah, gjithçka është e mundur”, u shpreh Schär.

Në fund, ai foli edhe për të ardhmen e tij pas verës së vitit 2027, kur i përfundon kontrata me Newcastle.
“Për momentin nuk po mendoj shumë për këtë. Ende më pëlqen shumë të luaj futboll dhe do të doja ta vazhdoja edhe për një kohë. Se ku dhe si, do të shihet
”, tha Schar.

I pyetur nëse e sheh të mundshme një rikthim në Zvicër, mbrojtësi u përgjigj pozitivisht.

“Po, mund ta imagjinoj. Do të ishte një mundësi për ta përmbyllur karrierën time. Kur të vijë koha, do të shoh se çfarë është më e mira për mua”, përfundoi Fabian Schar.
Intervistën e realizoi Marco Löffel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat