Shtetet e Bashkuara do ta presin sërish Copa América (Kupën e Amerikës) në vitin 2028, për herë të dytë radhazi, kanë njoftuar të martën CONMEBOL dhe CONCACAF, sipas Reuters. Turneu do të luhet nga 9 qershori deri më 9 korrik 2028.
Në garë do të marrin pjesë 16 ekipe: dhjetë nga Amerika e Jugut dhe gjashtë nga Amerika e Veriut, Qendrore dhe Karaibet. Ekipet e CONCACAF-it do të kualifikohen përmes “Gold Cup” 2027, ndërsa qytetet dhe stadiumet pritëse do të shpallen më vonë.
SHBA e priti edicionin e fundit në vitin 2024, kur Argjentina e fitoi finalen ndaj Kolumbisë, si dhe turneun e vitit 2016, kur skuadra amerikane përfundoi e katërta. Presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, tha se pas bashkëpunimit të 2024-ës federatat janë të kënaqura që «bashkojnë forcat» sërish; sipas tij, marrëveshja u jep gjashtë kombëtareve të rajonit mundësi të reja për të luajtur kundër disa nga më të mirëve në botë.
Presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez, e cilësoi turneun pjesë të identitetit dhe historisë së futbollit të Amerikës së Jugut dhe theksoi partneritetin e gjatë me CONCACAF-in. Argjentina është kampionia në fuqi e turneut.