Sadat Pajaziti merr drejtimin e KEK-ut

Futboll

Sadat Pajaziti merr drejtimin e KEK-ut

Nga: K.G. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 14:30
Sadat Pajaziti - djathtas

Klubi i futbollit KEK-u ka emëruar Sadat Pajazitin në postin e trajnerit të ri, i cili do ta drejtojë skuadrën në vazhdim të kampionatit në Ligën e Dytë të Kosovës.

Pajaziti merr drejtimin e skuadrës me synimin për ta rikthyer KEK-un në nivelet që i takojnë dhe për të përmirësuar rezultatet në vazhdim të sezonit.

Pas 17 javësh kampionat, KEK-u renditet në pozitën e nëntë me 22 pikë të grumbulluara.

“FC KEK vazhdon ndërtimin e projektit të ri sportiv, me vizion afatgjatë dhe synim të qartë për rikthimin e klubit aty ku e ka vendin.

Klubi ynë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me trajnerin me përvojë, Sadat Pajaziti, i cili do të marrë pozitën e Menaxherit të Përgjithshëm për Zhvillimin dhe Organizimin Sportiv të Klubit.

Sadat Pajaziti sjell me vete një përvojë të gjatë në futbollin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke qenë pjesë e klubeve të njohura si SC Gjilani, FC Drita, FC Drenica, FC KEK, KF Vëllaznimi, KF Teuta, KF Apolonia dhe FK Kukësi.

Gjatë karrierës së tij veçohet arritja në finalen e Kupës me FC Dritën, si dhe kontributi i rëndësishëm në rikthimin e FC KEK-ut në Superligën e Kosovës në sezonin 2017/2018, ku klubi regjistroi një seri prej 18 ndeshjesh radhazi pa humbje.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, përgjegjësitë e tij do të përfshijnë:

Hartimin dhe zbatimin e strategjisë afatgjatë për zhvillimin e Akademisë së FC KEK-ut.

Organizimin dhe koordinimin profesional të të gjitha grupmoshave.

Identifikimin, përzgjedhjen dhe zhvillimin e talenteve të reja.

Planifikimin dhe organizimin sportiv të ekipit të parë.

Përzgjedhjen dhe afrimin e futbollistëve cilësorë.

Koordinimin e stafit teknik dhe të të gjitha strukturave sportive të klubit.

Një ndër objektivat kryesore të këtij projekti është krijimi i një lidhjeje të fortë ndërmjet Akademisë dhe ekipit të parë, duke ndërtuar një sistem të qëndrueshëm ku talentet e reja të kenë mundësi të zhvillohen dhe të bëhen pjesë e futbollit profesionist.

FC KEK beson se përvoja dhe profesionalizmi i Sadat Pajazitit do të jenë një vlerë e rëndësishme në realizimin e objektivave të klubit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat