Sulmuesi me thikë (17) është qëlluar nga policia
Një sulm me thikë ka ndodhur sot në një shkollë profesionale në qytetin Essen, Gjermani.
Pas një sulmi me thikë, aktualisht po zhvillohet njw operacion i madh i policisë dhe shërbimeve të emergjencës në Essen. Sipas informacioneve të BILD-it gjerman, agresori me thikë është qëlluar nga policia, transmeton “Bota sot”.
Sipas informacioneve të BILD-it, një nxënës në “Bildungspark” në lagjen Nordviertel të Essen-it ka sulmuar një mësuese me thikë. Goditja thuhet se ka qenë në bark. Viktima është plagosur rëndë, por sipas zjarrfikësve, me gjasë nuk është në rrezik për jetën! Gruaja është dërguar në një spital universitar.

I dyshuari është qëlluar nga policia
Sulmuesi është një 17-vjeçar me origjinë nga Kosova. Fillimisht policia kishte raportuar se i dyshuari ishte 18 vjeç, por më pas mosha u korrigjua. Ai është nxënës i kolegjit profesional. Ende nuk është e qartë nëse ai ndodhej në orë mësimi apo nëse kishte hyrë në klasë nga jashtë. Thuhet se ai ka shkuar drejtpërdrejt te mësuesja dhe e ka plagosur me thikë. Pas sulmit, ai është arratisur.
Rreth orës 11:00, dëshmitarët raportuan të dyshuarin rreth tre kilometra larg shkollës, në një park. Kur një njësi speciale e policisë (SEK) tentoi ta kontrollonte atje, ai thuhet se u hodh drejt oficerëve me një thikë në dorë. Më pas policia ka qëlluar ndaj tij. Ai u plagos rëndë dhe është dashur të intubohet nga shërbimi i urgjencës.
Njësia SEK para shkollës
Policia është në vendngjarje që prej orës 09:30 dhe ka rrethuar shkollën me forca të shumta, të armatosura rëndë dhe me pajisje mbrojtëse. “Jemi me forca të shumta në terren,” deklaroi një zëdhënës i policisë. Mbi kompleksin shkollor ka patrulluar edhe një helikopter i policisë.
Kryetari i Bashkisë së Essen-it, Thomas Kufen (52, CDU), ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të marrë informacion të drejtpërdrejtë mbi situatën. Parku ku u arrestua sulmuesi me thikë ndodhet në afërsi të stacionit kryesor të trenit në Essen – për shkak të ndërhyrjes së policisë, aktualisht ka bllokime trafiku në zonë.
Ekipet e ndihmës po trajtojnë nxënësit
Përveç mësueses që është plagosur rëndë, po marrin ndihmë mjekësore edhe persona të tjerë. Gjithnjë e më shumë autoambulanca dhe mjekë urgjence po mbërrijnë në shkollë: Të paktën dhjetë nxënës janë në gjendje shoku – disa prej tyre kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, ose kanë dhënë ndihmën e parë menjëherë pas sulmit.
Në shkollë ka pasur panik të madh
Edhe pse policia ka mundur t’i shoqërojë nxënësit jashtë godinës, dhjetëra prej tyre ishin mbyllur në klasa, duke u barrikaduar – siç është procedura standarde në rast alarmi për sulm të armatosur (Amok-Alarm).
----
Sipas raportimeve nga Bild , një nxënës 18-vjeçar me origjinë nga Kosova ka plagosur rëndë një mësuese duke e goditur me thikë në bark.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur Bildungspark në lagjen Nordviertel.
Pas sulmit, autori është larguar menjëherë nga vendngjarja, por është ndjekur nga policia dhe, sipas burimeve të “Bild”, është qëlluar nga forcat e rendit gjatë ndalimit.
Mësuesja po trajtohet në spitalin universitar dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni urgjent.
Ende nuk dihet nëse ndodhet në rrezik për jetën.
Policia dhe shërbimet emergjente ndodhen në vendin e ngjarjes me forca të shumta.