Inteligjenca artificiale në zyrat e të huajve: Bundestagu shqyrton ligjin sot

Gjermani

Inteligjenca artificiale në zyrat e të huajve: Bundestagu shqyrton ligjin sot

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 11:29
Ilustrim

Komisioni për Punë të Brendshme i Bundestagut gjerman mban sot, nga ora 14:00, një dëgjim publik për projektligjin që do të lejonte përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në administratën e migracionit. Ligji njihet me shkurtesën KIMVG dhe është propozim i qeverisë federale.

Sipas projektligjit, zyrat komunale për të huaj (Ausländerbehörden) do të mund të përdornin sisteme të mësimit makinerik për punë standarde, sidomos për kontrollin e dokumenteve dhe për caktimin e termineve. Qeveria pret që kështu të shkurtohen procedurat e gjata për viza dhe leje qëndrimi dhe të modernizohet administrata.

Kritika nga organizatat

Para dëgjimit, 37 organizata të shoqërisë civile, mes tyre Amnesty International Gjermani, Pro Asyl, Kryqi i Kuq Gjerman dhe Arbeiterwohlfahrt (AWO), kanë kërkuar ndryshime në projektligj. Ato kërkojnë që të dhënat nga dosjet e azilit dhe nga Regjistri Qendror i të Huajve të mos përdoren në mënyrë të përgjithshme për trajnimin e sistemeve të AI-së.

Organizatat kërkojnë gjithashtu që ndikimi i AI-së në vendimet për raste konkrete të dokumentohet, në mënyrë që qytetarët të mund t'i kundërshtojnë ato në gjykatë, si dhe një vlerësim të pavarur të sistemeve të përdorura.

Shoqata e mirëqenies sociale Der Paritätische ka deklaruar se e kundërshton projektligjin në formën e tanishme, sepse sipas saj nuk përcaktohen qartë qëllimet dhe kushtet e përdorimit të AI-së dhe mungojnë garancitë për transparencë.

Edhe komunat kanë shprehur rezerva: nëse shteti federal nuk i mbulon kostot e ndryshimeve teknologjike, zyrat lokale për të huaj mund të mbingarkohen edhe më shumë.

Çfarë do të thotë për bashkatdhetarët

Shumë bashkatdhetarë në Gjermani presin me muaj për termine dhe për vendime për leje qëndrimi, vazhdim lejesh apo bashkim familjar. Nëse ligji miratohet, procedurat mund të bëhen më të shpejta, por të dhënat personale të aplikuesve mund të përdoren edhe për zhvillimin e sistemeve të AI-së.

Dëgjimi i sotëm nuk do të thotë miratim të ligjit. Pas tij, projektligji kthehet në procedurën parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat