Pronarët e tokave të fshatit Uglar të Gjilanit i japin mbështetje Impiantit të Ujërave të Zeza

Gjilani

Pronarët e tokave të fshatit Uglar të Gjilanit i japin mbështetje Impiantit të Ujërave të Zeza

Më: 22 mars 2021 Në ora: 14:54
Kuvendi Komunal i Gjilanit

Organizuar nga Komuna e Gjilanit, respektivisht nga Drejtoria Komunale për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, sot, është mbajtur dëgjim publik me pronarët e tokave nga fshati Uglar, ku është prezantuar projekti për impiantin e ujërave të zeza dhe veprimet që do të marr komuna lidhur me shpronësimin e pronave private për interes të përgjithshëm, bazuar në vendimin e Kuvendit të Komunës.

Drejtori i DKGJP-së, Sali Fazliu, ka potencuar hapat që ka marrë Komuna e Gjilanit dhe ecurinë e planifikimit të deritashëm, për implementimin e projektit të impiantit që nga ekspertët të cilët kanë bërë studimin e fizibilitetit është vlerësuar se duhet të vendoset në bashkimin e lumenjve Morava, Mirusha dhe Stanishorka.

Fazliu gjithashtu, ka theksuar se rëndësia e këtij projekti është e jashtëzakonshme dhe në kuadër të këtij projekti është planifikuar edhe ndërtimi i kolektorëve të cilët trajtojnë edhe lumenjtë tjerë.

Ai ka njoftuar se ky projekt është meritë e kryetarit Lutfi Haziri, i cili ka siguruar edhe mjetet buxhetore përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që është financuese e projektit.

“Sot në këtë dëgjim publik jemi mbledhur për t’ju njoftuar se Komuna e Gjilanit përmes këtij projekti po bëhen hapa të bazuar në ligjin e Parlamentit të Kosovës dhe në këtë funksion ndikohet direkt në përmirësimin e rrjedhës së ujërave në këta lumenj, eliminimin e kundërmimit dhe deri te mbrojtja e ambientit. Vlerësimi i pronave por edhe mënyra e kompensimit do të bëhen nga organet kompetente dhe në bazë të ligjit”, ka thënë mes tjerash drejtori Fazliu.

Ai ka lutur pronarët faktikë të tokave që ta rregullojnë çështjen e pronave edhe në aspektin juridik.

Nga ana e tij, Muhamet Suliqi, kreshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujit “Hidromorava”, ka përshkruar në pika të shkurtra projektin për impiantin dhe rëndësinë që ka ky investim gjatë të ardhmes në aspektin e përgjithshëm për regjionin e Anamoravës.

Ai ka theksuar se përfituesit e parë nga ky projekt janë banorët e fshatit Uglar sepse kundërmimi i rëndë dhe ndotja do të eliminohen e më pas përfitues janë i gjithë regjioni sepse jeta do të jetë krejt ndryshe pas funksionalizimit të këtij projekti milionësh.

Nga ana e tyre banorët e fshatit e kanë mbështetur projektin në përgjithësi dhe janë interesuar për afatet e investimit, kapacitetet që parashihen e deri te mënyra e shpronësimit të tokave dhe mënyra e përfitimit në punësim në këtë projekt madhështor. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat