Gjendja me COVID-19 në Gjilan vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rënduar

Gjilani

Gjendja me COVID-19 në Gjilan vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rënduar

Më: 23 gusht 2021 Në ora: 15:33
Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se gjendja me pandeminë në këtë qytet vazhdon të jetë shumë e rënduar. Ai ka thënë se janë mbi 1400 raste aktive me COVID në Gjilan, ndërsa u ka bërë thirrje të infektuar të mos dalin nga shtëpitë.

“Gjendja po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rënduar, me numër të madh të të infektuarve që ka arritur në 1412 qytetarë të Gjilanit që janë të prekur. Të infektuarit lutem që të vet-izolohen dhe të vet-përmbahen nga dalja jashtë shtëpisë apo edhe kontaktit me anëtarët e tjerë të familjes që të mos e bartin infeksionin. Policia e Kosovës dhe inspektorët e Komunës së Gjilanit do të kujdesen për zbatimin e protokollit për të gjithë të infektuarit, prandaj ju lusim që të qëndroni në shtëpi. Gjendja në Spitalin e Përgjithshëm është rënduar, tani atje gjenden 97 pacientë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Koordinimi me institucionet private të shëndetësisë do të jetë më i madh për monitorimin e gjendjes në bashkëpunim me institucionet e rendit”, ka thënë Lutfi Haziri.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se Komuna e Gjilanit është duke bërë të gjitha përgatitjet edhe për fillimin e procesit të mësimit dhe monitorimin e personelit arsimor nëse është vaksinuar apo jo, në të kundërtën, sipas tij, pa dëshminë për vaksinim ose pa test të përditshëm anti-COVID-19, nuk tolerohet që mësimdhënësi të dalë para nxënësve.

“Apeli që mësimdhënësit, personeli teknik dhe stafi tjetër të vaksinohen, është në fuqi dhe ju lutemi që t’i shfrytëzoni këto ditë sepse arsimtari nuk mund të marrë ditarin në dorë nëse nuk është i vaksinuar, ose nëse nuk e ka testin që kërkohet nga organet e shtetit. Kjo është për parandalim të çdo lloj rreziku për bartje të infeksionit te moshat e reja. Janë mbi dy mijë arsimtarë që punojnë në tri nivele arsimore. Gjithashtu, rekomandimi tjetër është edhe për stafin e hotelerisë që të vaksinohen, para masave strikte që do t’u nënshtrohemi së shpejti, kjo që të mos ndalen shërbimet e tyre dhe lokalet të mos mbyllen”, ka thënë kryetari Haziri.

Gjilani deri sot ka vaksinuar 36 mijë e 670 qytetarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat