Kurteshi-Emini: Do të respektohen prioritet e qytetarëve për investime në lagjet ku jetojnë

Gjilani

Kurteshi-Emini: Do të respektohen prioritet e qytetarëve për investime në lagjet ku jetojnë

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 21:35
Pamje nga takimi

 Cikli i dëgjimeve buxhetore, të cilin e ka nisur këtë javë Komuna e Gjilanit, pas Përlepnicës, Dobërçanit, Malishevës e Zhegrës, ka vazhduar sot në dy lagje të qytetit, Dheu i Bardhë dhe Dardania, ku po ashtu janë dëgjuar dhe evidentuar kërkesat e qytetarëve, të cilat do të përfshihen në listën e prioriteteve për investime gjatë vitit 2022.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se banorët e lagjes Dardania, kanë identifikuar si prioritete të tyre rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe një qendër rinore te pjesa e parkut, kurse ata të lagjes Dheu i Bardhë kanë thënë se kanë nevojë për infrastrukturë, një çerdhe në Porodin, një nënkalim që e lidhë këtë pjesë me lagjen si dhe mbulimin e shtratit të lumit Stanishorka.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale si Komunë që investimet t`i shpërndajmë në mënyrë të balancuar, si në fshat, ashtu edhe nëpër lagje të qytetit, duke iu dhënë përparësi projekteve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe që identifikohen si prioritete prej vetë atyre”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Përndryshe, cikli i dëgjimeve buxhetore vazhdon në lokalitetet tjera, sikurse takime të veçanta do të mbahen edhe me gra, rini dhe komunitete.

Komuna e Gjilanit i shpërndanë investimet në konsultim me qytetarin, i cili i njeh dhe i ndjen më së miri nevojat e lokalitetit ku jeton, ka thënë Shpresa Kurteshi-Emini.

Dëgjimet buxhetore organizohen nga Komiteti për Politikë dhe Financa.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat