Kurteshi-Emini: Parku dhe një rreth-rrotullim janë dy nga kërkesat e lagjeve Zabeli dhe Arbëria

Gjilani

Kurteshi-Emini: Parku dhe një rreth-rrotullim janë dy nga kërkesat e lagjeve Zabeli dhe Arbëria

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 20:49
Pamje nga takimi

Ciklin e dëgjimeve buxhetore, Komuna e Gjilanit, e ka vazhduar sonte në dy lagje tjera të qytetit, ‘Zabeli’ dhe ‘Arbëria’ ku po ashtu janë dëgjuar dhe evidentuar kërkesat e qytetarëve, të cilat do të përfshihen në listën e prioriteteve për investimet e vitit 2022.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se banorët e këtyre lagjeve kanë identifikuar si prioritete hapjen e rrugëve të reja, rregullimin e parkut, një rreth-rrotullim te kryqëzimi i rrugës Gjilan-Preshevë, me pjesën te ish-tregu i kafshëve si dhe nevoja të tjera infrastrukturore të lagjeve.

“Ne i dëgjuam me kujdes kërkesat e banorëve dhe si Komunë do të mundohemi që investimet t`i shpërndajmë në mënyrë të balancuar, në të gjitha lokalitetet, duke iu dhënë përparësi projekteve madhore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe përmirësojnë mirëqenien e tyre” ka thënë Kurteshi-Emini.

Për më tepër, ajo tha se në listën e prioriteteve do të futen projektet e identifikuara bashkërisht me qytetarin, i cili i njeh dhe i ndjen më së miri nevojat e lokalitetit ku jeton.

Përndryshe, cikli i dëgjimeve buxhetore përmbyllet nesër me dy takime tjera, njëri me gra e rini dhe tjetri me komunitete.

Dëgjimet buxhetore organizohen nga Komiteti për Politikë dhe Financa.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat