​Kurti premton reforma në Kamenicë: Fitorja jonë do të sjellë zhvillim dhe prosperitet

Gjilani

​Kurti premton reforma në Kamenicë: Fitorja jonë do të sjellë zhvillim dhe prosperitet

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 17:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Kandidatit për kryetar të Kamenicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimajt mori mbështetje nga kryeministri Albin Kurti, në një tubim zgjedhor në Topanicë.

Lideri i VV-së, Kurti ka premtuar se me Kadri Rahimajn kryetar, do të ketë reforma në arsimi, ndwrsa premtoi më shumë punësim, investime në shkolla, shëndetësi dhe infrastrukturë.

Kurti: Kamenica nuk e ka merituar me i ngelur nxënësit pa shkollë

“E kemi problemin e madh të ikjes së të rinjve, është e domosdoshme që emigrimin ta zëvendësojmë me punësim në vendin tonë. E gjithashtu ta bëjmë reformën në arsim, sepse është e tmerrshme se si kanë ngelur nxënësit pa shkollë në Komunën e Kamenicës, e cila aq shumë i ka dhënë arsimit dhe historisë së Kosovës e të kombit në përgjithësi. Nuk e ka merituar Kamenica këtë sjellje. Andaj, edhe për arsim, edhe për shëndetësi dhe infrastrukturë ne do të kujdesemi”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti duke ftuar qytetarët që të votojnë masovisht Kadri Rahimajn për kryetar, tha se Kadriu i qëndroi besnik VV-së dhe shprehi besimin se do të jetë fitues në këto zgjedhje.

Kurti: Kadriu gjithmonë i ka qëndruar besnik VV-së

Ka shumë kohë që e njoh Kadriun, si aktivist e punëtor, të cilit i flet angazhimi dhe i cili gjithmonë i ka qëndruar besnik Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe besoj që në këto zgjedhje më 17 tetor, Kamenica - Dardana edhe Kadri Rahimaj e meriton. Neve na navijitet dalje masive në këto zgjedhje, në mënyrë që fitorja të jetë e sigurt, në mënyrë që rezultatin e 14 shkurtit që e ndryshojë Republikën e Kosovës, ta përkthejmë edhe këtu në komunën e Kamenicës dhe asisoj ta krijojmë lidhjen e fuqishme midis Prishtinës dhe Kamenicës. Midis meje si kryeministër dhe Kadri Rahimajt si kryetar i Kamenicës, tha ai.

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj tha se Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që ka forcën, dijen dhe guximin me ndryshuar procese dhe jetën e qytetarëve në vend.

Për këtë, ai tha se me ndryshimin që ka nisur më 14 shkurt, duhet të ndodhë edhe në Kamenicë, e cila do të sjellë zhvillim dhe prosperitet.

Rahimi: Fitorja jonë do të sjellë zhvillim dhe prosperitet për Kamenicën

Është e domosdoshme përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, ku qytetari bëhet pjesë aktive dhe vendos për taksat e tyre, e ku ne menaxhojmë në mënyrë transparente dhe të ndershme. Është koha me qenë afër qytetarëve dhe me i dëgjuar kërkesat dhe hallet e tyre, e ne me iu shërbyer dhe me iu treguar se sa shërbëtor të mirë jemi. Besoj se fshati Topanicë, fshatrat tjera dhe gjithë komuna e Kamenicës ka me dhënë mbështetje të madhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Do të qeverisim bashkë, para se të qeverisim është e nevojshme të fitojmë bashkë. Unë po besoj që fitoren të cilën do ta sjellim bashkë do të na sjell zhvillim, do të na sjell prosperitet dhe ndershmëri. Prandaj, ju ftoj që ta votoni Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatët e kësaj partie”, tha Rahimi.

Ndryshe, subjektet politike kanë afat të shpalosin programet e tyre me elektoratin për zgjedhjet e 17 tetorit deri sonte në orën 24:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat