Gjilanasit presin më shumë punësim dhe investime në infrastrukturë

Gjilani

Gjilanasit presin më shumë punësim dhe investime në infrastrukturë

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 08:22
Qendra e votimit

Banorë të këtij vendi e gjilanas nga diaspora po votojnë sot për të parin e komunës së tyre. Ata shprehen të dëshpëruar me papunësinë e madhe, infrastrukturën rrugore dhe shërbimet në shëndetësi. Nga raundi i dytë i zgjedhjeve presin ndryshim pozitiv dhe udhëheqje në shërbim të qytetarëve. 

Shukri Sadiku ka ardhur nga Zvicra që të votojë, ndërsa dëshira e tij e vetme mbetet punësimi i të rinjve në Gjilan.

“Unë po pres më së shumti që rinia të punësohet, me ndreq e mos me i shti nëpër gjepa ata që janë në krye… kam ardhur ekstra me votu…krejt i mungojnë, rruga, arsimi, të gjithat. Pa rini ne nuk kemi të gjallë. Se unë që 50 vjet jam atje, prej 1971”, thekson ai.

Zijadin Koka, i cili jeton në Gjilan shprehet i zhgënjyer me gjendjen në këtë komunë

“Kemi dalë vërtetë që ta definojmë votuesin edhe presim ndryshim të madh në Gjilan. Shpresojmë një ndryshim pozitiv, pasi që edhe populli është i dëshpëruar. Kaluan disa vite nuk u bën zgjidhje, nuk po shohim përmirësim… është papunësia shumë e madhe. Infrastruktura shumë e dobët, sidomos në fshatra të Gjilanit, lumenjët ashtu, natyra”, thekson ai.

Ndërsa, Mefail Limani shkurt shprehet se pritjet e tij janë që të ketë ndryshim në këtë komunë.

“Besoj që do të bëhet më mirë… veç lutem më mirë bëhet”, shprehet ai.

Në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 100 mijë qytetarë, në 34 qendra votime dhe 126 vendvotimi.

Gara e sotme zhvillohet mes Lutfi Hazirit të LDK-së dhe Alban Hysenit të LVV-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat