INPO: Komuna e Gjilanit në kundërshtim me ligjin tenton që të punësojë mirëmbajtës nëpër shkolla nëpërmjet procedurave të prokurimit publik

Gjilani

INPO: Komuna e Gjilanit në kundërshtim me ligjin tenton që të punësojë mirëmbajtës nëpër shkolla nëpërmjet procedurave të prokurimit publik

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 10:59
Ilustrim

INPO reagon ashpër ndaj keqpërdorimit të procedurave të prokurimit publik, vendosjes së kritereve diskriminuese dhe të kundërligjshme, me tendencë të punësimit të së paku shtatëdhjetë e dy (72) personave si mirëmbajtës të shkollave nga komuna e Gjilanit.

Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, Organizata INPO është duke monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit me titull “Pastrimi i Objekteve Shkollore” me numër 651-21-8003-2-1-1, me vlerë të parashikuar 1,343,997.00 euro, të inicuar nga komuna e Gjilanit.

Këtë aktivitet të prokurimit komuna e Gjilanit e ka shpallur më 29.11.2021, ndërsa operatorët ekonomik të interesuar do të kenë kohë për të ofertuar vetëm nëntëmbëdhjetë (19) ditë, nga dyzetë (40) ditë sa është minimumi i lejuar për afatet e rregullta ligjore. Si arsye të shkurtimeve të afateve ligjore komuna e Gjilanit e ka dhënë atë se “Kontrata bazë skadon”. Kjo arsye përveç që është në kundërshtim me dispozitat që lejojnë shkurtimin e afateve, e njëjta është e pa qëndrueshme sepse kemi të bëjmë me një aktivitet të planifikuar një vit më parë. Në planin përfundimtar të prokurimit për vitin 2021, komuna e Gjilanit kishte paraparë që këtë aktivitet ta inicoj më 03.12.2021, apo pesë (5) ditë më vonë se sa është iniciuar. Shkurtimi i afateve ndikon direkt në mundësinë e përgatitjes së ofertave nga operatorët ekonomik dhe si e tillë është i pa pranueshme dhe në kundërshtim me qëllimin e prokurimit publik.

Përveç shkurtimit të afateve, ky aktivitet i prokurimit ka kërkesa teknike/profesionale shumë të larta, diskriminuese, jo relevante dhe në  kundërshtim me ligjin, përkatësisht janë shkelur dispozitat e nenit 1, 7 dhe 69 të Ligjit për Prokurimin Publik. Disa nga shkeljet po i listojmë më poshtë:

Kërkesa 2, pika (b): “Një (1) mirëmbajtës   për nxemje qendrore, ujësjellës dhe elektrikë me orar të plotë 7 ditë në javë 24 orë”- Aktiviteti ka të bëjë me pastrimin e shkollave, ndërsa komuna e Gjilanit kërkon që mirëmbajtësi të punoj 24 orë, përveç që shkollat nuk janë të hapura 24 orë, kjo kërkesë është e paqartë dhe ka tendencë që operatorët ekonomik gjatë ofertimit të lajthiten dhe për pasojë të shpallen të pa përgjegjshëm. Kujtojmë që situatë të ngjashme kishte evidentuar INPO edhe në vitin 2018 lidhur me aktivitetin “Pastrimi i objekteve komunale në Gjilan”, ku operatorët ekonomik kishin kërkuar sqarime, komuna i kishte dhënë ato, ndërsa vlerësimi i ofertave ishte bërë në kundërshtim me sqarimet e ofruara.

Kërkesa 2, pika (c): “Një (1) menaxher të kontratës, menaxheri duhet të ketë të përfunduar fakultetin Ekonomik ose Juridik dhe të ketë  7 vite përvojë pune”- Kjo kërkesë përveç që është e lartë e njëjta është diskriminuese sepse për një aktivitet të pastrimit kërkohet që menaxheri të jetë ekonomist ose jurist. Pra, është kërkesë diskriminuese sepse aktiviteti pak ose aspak ka të bëjë me profesionin e juristit apo ekonomistit.

Kërkesa 5: “OE duhet të dëshmoj se në 2 vitet e fundit të ketë së paku 100 punëtorë të punësuar, për punë të ngjashme sipas specifikave të dosjes së tenderit”- Kjo kërkesë është jo relevante dhe shumë e lartë dhe si e tillë është e ndaluar me dispozitat ligjore. Fakti se një operator ekonomik i ka pasur ose jo njëqind (100) punëtorë, nuk përbën garancë që ai do ta kryej punën shumë më mirë se një operator që i ka pasur pesëdhjetë (50) punëtorë. Ky kriter mund të jetë favorizues nëse një kompani është duke e kryer të njëjtën punë për të cilën është hapur tenderi.

Kërkesa 7: “OE duhet të deklarohet se do t’i paguan të gjithë punëtorët me paga të njëjta me punëtorët e këtij sektori në neto prej 251.70 euro, duke i kalkuluar sipas rregullave të ATK-së”- Kjo kërkesë është në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe e dëmton konkurrencën e lirë të tregut, duke ndikuar direkt edhe në koston e kontratës dhe mirë menaxhimin e parasë publike. Paga 251.70 euro nuk është as pagë minimale e as mesatare dhe vendosja e kufijve të pagave të punëtorëve të operatorëve ekonomik është ndërhyrje e kundërligjshme dhe nuk është kompetencë e autoriteteve kontraktuese, atë e rregullon ligji dhe tregu i lirë. Po të shihet paramasa, përkatësisht lista e çmimeve aty vërehet qartë që komuna e Gjilanit përmes kësaj kontrate, përveç tjerash tenton që të punësoj shtatëdhjetë e dy (72) persona, ku edhe kërkon nga operatorët ekonomik që të japin çmim për 36 muaj për secilën njësi, përkatësisht punëtorë. Në anën tjetër në Dosje të Tenderit nuk ka as edhe një term të referencës, dhe as nuk ka të dhëna rreth kontributit të pritur të këtyre personave.

INPO i kujton komunës së Gjilanit që nëpërmjet procedurave të prokurimit publik nuk mund të punësohen punëtorë, këtë e ka thënë edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në njoftimin Nr. 06/2021 i datës 02,02,2021, i lëshuar në drejtim të të gjitha autoriteteve kontraktuese.

INPO vlerëson që shkeljet në këtë aktivitet janë të mëdha dhe përmirësimi i gabimeve me formular standard vetëm sa do ta komplikonte këtë procedurë, sepse kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor të kushteve të parashikuara në njoftimin origjinal të kontratës.

Andaj, INPO i bënë thirrje komunës së Gjilanit që duke u bazuar në nenin 23.3, pika (e), lidhur me nenin 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik,  ta anuloj këtë aktivitet të prokurimit dhe nëse ende ka nevojë që ky aktivitet të zhvillohet të shpallen procedura të reja të cilat i respektojnë afatet e rregullta ligjore, nuk janë diskriminuese, favorizuese apo në kundërshtim me ligjin dhe aktiviteti në fjalë ka të bëjë me marrjen e shërbimit të pastrimit e jo me punësimin e personave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat