Hyseni nënshkruan memorandum bashkëpunimi me MKRS-në për bashkëfinancimin e “Flaka e Janarit 2022”

Gjilani

Hyseni nënshkruan memorandum bashkëpunimi me MKRS-në për bashkëfinancimin e “Flaka e Janarit 2022”

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 19:01
Pamje nga takimi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen e këtij Manifestimi, i cili nëpërmjet vlerave kulturore, nderon dëshmorët e heronjtë e kombit.

“Sot kam nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Sekretarin e MKRS-së për bashkëfinancim të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”. Në këtë edicion shënohet 40-vjetori i “Flakës së Janarit” si dhe i rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Rëndësia e kësaj ngjarje tejkalon qytetin e Gjilanit e shtetin e Kosovës. Ai është mbarëkombëtar. Flakadani i Flakës së Janarit, i Kadriut, Jusufit e Bardhoshit sikur tash e 40 vite, do vazhdojë prapë të ndizet!”, ka thënë kryetari Hyseni.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2022” i cili mbështetet në katër shtylla, artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor, nis më 11 janar me ndezjen e flakadanëve, ndërkaq përfundon më 31 janar me festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”.

Manifestimi mbarkombëtar i kulturës “Flaka e Janarit” u themelua më 18.01.1992, në 10-vjetorin e shënimit të rënies së heronjve Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ndërkaq konsiderohet si Manifestimi më unik dhe i vetmi i këtij lloji në trevat e Ballkanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat