Hyseni: 15-vjetorin e pavarësisë po shënojmë me katër ditë aktivitete

Gjilani

Hyseni: 15-vjetorin e pavarësisë po shënojmë me katër ditë aktivitete

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 18:10
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyse

Numër i madh i qytetarëve, sot kanë dalë në qytetin e Gjilanit për ta festuar 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ata janë shprehur të gëzuar, por kanë thënë se është dashur më shumë punë. Ndërkohë, kryetari i Gjilanit ka thënë se e veçanta e këtij viti, krahasuar me vitet tjera ka qenë numri më i madh i aktiviteteve të zhvilluara.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se interesimi i qytetarëve për t'i ndjekur aktivitetet, sot, në 15-vjetorin e pavarësisë ka qenë mjaft i madh. Ai ka treguar se aktivitetet në komunën që ai e udhëheq, kanë nisur dy ditë më parë.

Hyseni: Aktivitetet festive kanë filluar dy ditë më herët

 

"Sot për shënimin e 15-vjetori të shpalljes së pavarsisë së Kosovës kemi vazhduar me aktivitetet e planifikuara, ndërkohë që aktivitetet festive kanë filluar qysh dy ditë më herët, nga data 15. Sot kemi pas një koncert për fëmijë, përveç fillimit të aktiviteteve me seancë solemne dhe homazhe tek dëshmorët. Ishte interesant që në koncertin për fëmijë kishim interesim aq të madh sa edhe salla e teatrit ishte e vogël.", ka thënë Hyseni. 

Sipas tij, e veçanta e këtij viti krahasuar me vitet tjera ka qenë numri më i madh i aktiviteteve të zhvilluara. 

Hyseni: Numri i madh i aktiviteteve, është vit i veçantë

"Këtë vit ka qenë numri i madh i aktiviteteve, është edhe vit i veçantë, 15-vjetori i pavarësisë, ndërkaq viteve tjera po shpresojmë të kemi përfshirje më të madhe të njerëzve, të kemi aktivitete më kreative që në këtë formë t'i jepim jehonë të veçantë festës së pavarësisë.", ka shtuar Hyseni. 

Qytetari, Muharrem Kallaba është shprehur mjaft i lumtur për shënimin e kësaj dite, por ka pritur aktivitete më të shumta nga komuna. 

Kallaba: Atmosfera shumë e mirë, por është dashur më shumë punë

"Po ndihemi shumë mirë, jemi ardhë prej fshatit...dhe atmosfera sot shumë e mirë në Gjilan...Mirëpo, është dasht shumë më shumë punë, por qaq kanë punuar.", ka thënë Kallaba. 

Për qytetarin, Isa Mullaidrizi, festa e pavarësisë mbetet më e rëndësishmja për vendin, por është shprehur i shqetësuar për dëshmorët. 

Sipas tij, ata po klasifikohen, duke u ndarë në periudha të ndryshme, e që është e papranueshme për të. 

Mullaidrizi: Faleminderit Amerikës dhe shteteve tjera evropiane

"Po ndihem shumë i gëzuar...Mirëpo pak jam i dëshpëruar pasi kur po flitet për dëshmorët, po flitet vetëm për një periudhë historike, jo edhe për periudhat tjera që kanë dhënë jetë. Unë sot i kam 81 vjet, por kur ka shku në luftë prindi jem më ka lënë vetëm 3 vjet...Por, përkundër rrethanave që i kemi, veçanërisht Serbinë, por faleminderit Amerikës dhe shteteve tjera evropiane.", ka thënë Mullaidrizi. 

Ndërkaq, qytetari, Nazif Misini është shprehur se për 15 vjet shtet është dashur të punohet më shumë. 

Misini: E rëndësishme e kemi lirinë

"Përkundër gjithë atyre që kanë luftuar për liri, shumë mirë po ndihemi...Mirëpo ka pas vend për të bërë më shumë, qysh është dashur jo aq sa duhet, por mirë nëse krahasojmë qysh ka qenë. E rëndësishme e kemi lirinë.", ka thënë Misini. 

Komuna e Gjilanit, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, këtë vit ka pasur një agjendë më të ngjeshur të aktiviteteve, derisa nesër ky qytet do të përmbyllë pjesën festive të 15-vjetorit, pasi në mbrëmje do të mbajnë edhe aktivitetin e fundit, Gala Koncert nga Rona Nishliu dhe grupi i saj.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku kanë marrë pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri ka shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat