Mjekëve të Spitalit të Gjilanit të dyshuar për ryshfet u skadon paraburgimi pas 3 ditësh, Prokuroria ende pa vendim

Gjilani

Mjekëve të Spitalit të Gjilanit të dyshuar për ryshfet u skadon paraburgimi pas 3 ditësh, Prokuroria ende pa vendim

Më: 25 maj 2023 Në ora: 11:40
Prokuroria Themelore e Gjilanit nuk ka konfirmuar nëse ndaj tyre do të kërkohet vazhdimi i masës së paraburgimit.

Dy mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha, të arrestuar nën dyshimin për marrje ryfsheti ndodhen në paraburgim deri me 28 maj. Prokuroria Themelore e Gjilanit nuk ka konfirmuar nëse ndaj tyre do të kërkohet vazhdimi i masës së paraburgimit.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini, tha se për këtë rast prokuroria do të vendosë brenda afatit ligjor.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të vendosë lidhur me këtë çështje”, tha Xheladini.

Ndërkohë zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra, tha se mjekët vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, deri me 28 maj.

“Të pandehurit në fjalë vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit deri më datë 28.05.2023, ashtu siç ka vendosur gjyqtari i procedurës paraprake me aktvendimin PPr.Kr.nr. 64/2023.Ndërkohë, sa i përket pyetjes rreth kërkesës për vazhdim të masës deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria Themelore në Gjilan”, thuhet në përgjigjen e tij.

Policia e Kosovës njoftoi sot se mjekët janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “marrje ryfsheti”, për të kryer një ndërhyrje.

Sipas policisë, anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.

Ndërsa kirurgu dyshohet se kishte marrë, lidhur me ndërhyrjen 330 euro, ndërsa, sipas policisë, kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.

Të njëjtit fillimisht u ndaluan për 48 orë, më pas atyre iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë kujdestarisë, teksa për rastin nga Krimet Ekonomike ishte njoftuar edhe Drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini, në mënyrë që ta organizojë orarin e kujdestarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat