Hyseni flet për 80 mijë eurot e paguara për orenditë në QKMF në Gjilan

Gjilani

Hyseni flet për 80 mijë eurot e paguara për orenditë në QKMF në Gjilan

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 22:57
Alban Hyseni

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se të gjitha të dhënat që janë raportuar për inventarin në vlerë të 80 mijë eurove për në QKMF-në në Gjilan, i ka dërguar në hetuesi.

Hyseni, fillimisht tha se në momentin kur është bërë auditimi në QKMF është konstatuar që ka mungesë të inventarit në raport me blerjet që janë bërë.

“Tash së fundmi kam parë disa lajme nëpër portale me fotografinë time dhe me zhdukjen e këtyre 80-mijë eurove. Unë kam deklaruar publikisht, të gjitha të dhënat sa i përket këtij rasti do t’i dërgoj në hetuesi, dhe këtë e kam bërë. Është një polic i krimeve ekonomike ose i hetuesisë së krimeve ekonomike që ka ardhë në zyre te unë dhe i ka marrë këto materiale, edhe të printuara si raport, por edhe si USB, pra material elektronik. Në raportin e auditorit të brendshëm të Komunës së Gjilanit, kur është bërë auditimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është konstatuar që ka mungesë të inventarit në raport me blerjet që janë bërë. Pra gjendje faktike me gjendjen që ka qenë e deklaruar përmes faturave”, tha ai.

Ai tha se si parti kanë mbërri në momentin kur është bërë vetëm kalimi i stafit nga objekti i vjetër në atë të riun.

“Kur kemi qenë në qeverisje QKMF ka qenë në objektin e vjetër, ndërkohë tranzicioni është bërë në qershor të vitit të kaluar dhe kemi dalë nga objekti i vjetër në objektin e ri. Të gjitha porositë për inventarizim të objektit të ri kanë qenë tashmë të bëra, pra kanë qenë porosi të mëhershme. Ka komision për inventarizim, ka zyrtarë për pranim. Ne e kemi mbërri vetëm kalimin e stafit nga objekti i vjetër në të riun. Pjesa e porosive për këto materiale inventarizimi është kryer më herët, nga një komision paraprak. Ndërkohë, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2021 dhe 2022 është vetëm pranimi i mallit. Menaxhmenti ka qenë i njëjtë qysh ka qenë më herët, pa asnjë ndryshim të vetëm. Vetëm kryeinfermierja është me ushtrues detyre tani, sepse ajo që ka qenë më herë ka dalë në pension, dhe nuk është hapur ende konkursi”, tha i pari i Gjilanit.

Hyseni, tha se tashmë janë porositur mbi 500 tavolina, por që mungojnë më shumë se gjysma e tyre.

“Ajo çfarë ka ndodhur tash është se kemi mbi 500 tavolina që i kanë porositur dhe mungojnë më shumë se gjysma e tyre. Pse? Këtë duhet ta thotë hetuesia. Në raportin e auditorit të brendshëm thuhet se janë porositur kaq tavolina, kaq dollape e kështu me radhë, dhe janë evidentuar në vendin e ngjarjes kjo, kjo, kjo. Kjo temë është politizuar shumë shpejtë. Unë kam kërkuar nga drejtoresha e Shëndetësisë, që këtë rast të ia lëmë në dorë hetuesisë dhe të mos merremi fare me këtë punë”, tha kryetari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Gjilanit tha se vlera e inventarit arrin afro 100 mijë euro, jo vetëm 80 mijë.

“Ka vlerë, nuk është vetëm 80 mijë, ka më shumë. Sepse, raporti i auditorit të jashtëm që ka nxjerrë këtë informacion është për vitin 2022, por këtu ka porosi edhe për vitin 2021, ka edhe për 2020. Shuma është afërsish 100 mijë eurove. Mandej, çfarë ka ndodhur? Janë porositur disa materiale për korridore dhe është thënë se këto janë kompensuar me ato, vlera është e njëjtë, e kështu me radhë”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat