“Pishtarë të lirisë” – Gjilan përkujton dëshmorët Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani

Gjilani

“Pishtarë të lirisë” – Gjilan përkujton dëshmorët Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani

Më: 19 maj 2025 Në ora: 19:36
Homazhe

Në përvjetorin e 26-të të rënies së Dëshmorëve të Kombit – Abdullah Tahiri, Ibrahim Pacolli dhe Arben Ramadani, janë bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan.

Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues të institucioneve komunale dhe qytetarë të shumtë.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Isufi, në një fjalë rasti e kujtoi komandantin Avdullah Tahiri si nismëtarin e formimit të celulave të para të UÇK-së.

“Komandanti Avdullah Tahiri ka qenë një nga më të mirët, më të përkushtuarit dhe më trimi në luftën tonë. Prandaj, gjithmonë do të mbetet në kujtesën tonë ai dhe të gjithë dëshmorët që ranë në vijën e frontit”, tha Isufi

Të pranishëm ishin edhe familjarët e dëshmorëve, përfshirë edhe Selim Pacollin, i cili rikujtoi sakrificën e Abdullah Tahirit dhe Ibrahim Pacollit.

“Si sot, 26 vite më parë, ishim këtu bashkë me bashkëluftëtarët dhe komandantin e Zonës së Karadakut, Ahmet Isufi, për të kujtuar rënien e dëshmorëve të kombit, të cilët sakrifikuan për gjeneratat e reja dhe për lirinë tonë. Ajo që na mbetet sot është një buqetë lule për t’ua kushtuar kudo që janë”, u shpreh Pacolli.

Ndërkohë, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Jakupi, tha se në këtë përvjetor janë mbledhur për të nderuar veprën e bijve më të mirë të kombit.

“Sakrifica e tyre nuk do të harrohet. Këta burra me guxim dhe vendosmëri të pashoq i dolën zot atdheut në kohët më të vështira të historisë sonë. Rënia e tyre është plagë që dhemb, por edhe pishtar që ndriçon rrugën tonë”, tha Morina-Jakupi.

Kurse, kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, tha se heroizmi i këtyre dëshmorëve do të mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë.

“Në 26-vjetorin e rënies heroike të Abdullah Tahirit, Arben Ramadanit dhe Ibrahim Pacollit, nderuam me homazhe pranë varrezave të dëshmorëve, duke rikujtuar edhe një herë sakrificën e tyre të lavdishme për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë”, theksoi Rashiti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat