Komuna e Gjilanit përmbyll buxhetimin me pjesëmarrje për vitin 2025, qytetarët zgjedhin projektet e tyre

Gjilani

Komuna e Gjilanit përmbyll buxhetimin me pjesëmarrje për vitin 2025, qytetarët zgjedhin projektet e tyre

Më: 11 qershor 2025 Në ora: 08:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Komuna e Gjilanit, ka përfunduar buxhetimin me pjesëmarrje për vitin 2025, “Lagjja jote, vendimi yt”, ku banorët e 7 lokaliteteve dhe grupi i grave dhe vajzave, kanë propozuar e votuar për projektin e përzgjedhur të tyre në vlerën e 50 mijë eurove.

Gjatë takimit përmbyllës mes komunës dhe OSCE-së në Gjilan, ku pati edhe pjesëmarrës të tjerë, u diskutua për draft-raportin e konsultimeve publike, rekomandimet dhe konkluzionet nga procesi i buxhetimit.

Kryesuesja e grupit Arbenita Sopi Haziri, drejtoreshë e Administratës në Komunën e Gjilanit, tha se për herën e tretë me radhë, realizuan buxhetimin me pjesëmarrje në katër lagje të qytetit, tri fshatra dhe me gratë dhe vajzat.

“Nga 280 mijë euro sa ishin vitin e kaluar sivjet janë 400 mijë euro për tetë projektet ku për secilin projekt vlera është 50 mijë euro”, tha Haziri.

Drejtoresha e Administratës, falënderoi qytetarët të cilët ishin pjesë e dëgjimeve buxhetore.

Gratë dhe vajzat e Komunës së Gjilanit, kanë vendosur që të realizohet projekti-pjerrina për persona me nevoja të veçanta.

Banorët e lagjes Zabeli, vendosën që të realizohet projekti i rregullimit të hapësirës rekreative. Ata të lagjes “Tetë” për projektin e parkut të lagjes. Ndërsa banorët e lagjes “Tregu i gjelbër”, për projektin e këndit të lojërave për fëmijë. Banorët e lagjes “Rruga e Prishtinës”, kanë vendosur që të realizohet projekti i parkingut rreth shkollës “Sadulla Brestovci”.

Banorët e fshatit Livoç i Epërm, vendosën që të realizohet projekti i parkut në lagjen e Muhaxherëve. Banorët e fshatit Pogragjë, kanë vendosur që të realizohet projekti i zgjerimit të hapësirave publike për rekreacion. Banorët e fshatit Gumnishtë, kanë vendosur që të realizohet projekti i rregullimit të shtratit të lumit.

Edhe përfaqësues nga zyra rajonale e OSCE-së në Gjilan dhanë vlerësime pozitive për realizimin e buxhetimit me pjesëmarrje për vitin 2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat