Qeveria Kurti, arnim i shpresave të qytetarëve

Kolumne

Qeveria Kurti, arnim i shpresave të qytetarëve

Nga: Prof. Jeton Kelmendi, PhD, Bota sot Më: 13 korrik 2021 Në ora: 16:52
Prof. Jeton Kelmendi, PhD

Ndonëse qytetarët e Kosovës, pra e kam fjalën për shumicën shqiptare, pas përfundimit të luftës u kthyen me shumë përkushtim në vendin e tyre, nga ku ishin dëbuar nga pushtuesi serb, gjë kjo që u pa nga faktori ndërkombëtar si një optimizëm i madh dhe natyrisht si një atdhedashuri e madhe nga qytetarët. Kjo nuk zgjati edhe aq shumë, sepse rrethanat nuk ishin te lehtë për ta zhvilluar një jetë normale, ngase shumëkush u desh ta filloj jetën nga zero. Çështje tjetër që duhet potencuar është edhe plagët e lirisë, ku shumë familje pësuan edhe dëme të mëdha: si në ekonomi ashtu edhe në anëtarë të familjeve të tyre. Megjithëkëtë, njeriu shqiptar i Kosovës ishte shumë shpresues në vendin e vet dhe me popullin e vet, prandaj sekush filloj ta ndjej shijen e lirisë, por sikur paksa të ekzaltuar, sepse kjo liri ngërthente në vete edhe atë anën tjetër, pra çoroditë që vijnë bashkë me lirinë. Vërtetë liri është diçka e madhe, por inercioni i lirisë nuk e mbanë njeriun gjatë, nëse nuk i ka edhe të mirat tjera të jetës. Jeta sikur edhe lufta është e padrejtë me dikë dikë, prandaj disa kategori të njerëzve në Kosovë, filluan të zhgënjehen qysh në vitet e para të lirisë, dorën në zemër jo pa arsye, e për të flasim për të gjitha arsyet tani do duhet shumë gjatë të merremi e madje serish nuk mund t’i gjenim të gjitha arsyet, por le të shikojmë njërën nga arsyet. Arsyeja për të cilën do të merremi ne, ndoshta nuk është e para, por gjithsesi ka ndikim më së shumti, për faktin se ka ndikim psikologjik dhe madje e vë në sprovë edhe inatin që e kemi ne si shoqëri a. Pra, i varfëri për një kohë të shkurtër u bë i pasur, natyrisht jo me punë të ndershme, i paarsimuari i bë udhëheqës, natyrisht jo me dije e as me merita, madje besa edhe i dyshimti u bë patriot, as ky jo me vepra, por duke i shërbyer politikës, së paku në opinionin e gjerë mediatik, kjo u trumbetua. Kjo dukuri e rriti frustrimin tek shumë shqiptarë, deri në një shkallë saqë filluan të humbin shpresat se në Kosovë do të bëhet mirë një ditë. Papunësia e madhe nga ana tjetër e bëri të vetën dhe shumë qytetarë gjetën mënyra për tu larguar nga vendi, sidomos në periudhën e pas pavarësisë së vendit. Në një situatë të tillë me një kastë politike të majme nga pushteti, populli filloi t’i shqyejë shpresat, për ç’gjë edhe në ketë drejtim u gjetën faktorë që kontribuuan në shqyerjen e shpresave tek qytetarët.

Kush i shqeu shpresat e qytetarëve?

Shpresat e qytetarëve i zbehu jeta me një mirëqenie jo adekuate, i stërlodhi kasta politike, sidomos meritorët e lirisë, ndërsa i shqeu qytetari rebel Albin Kurti me kurdët e vet. E nëse këta janë faktorët që e sollën në ketë gjendje shpresën qytetare, kush mund ta kthej atë shpresë që padyshim i duhet këtij populli, kjo pra tash kërkon përgjigje?

Pavarësia është shpallur me 2008, liria po ashtu me 1999 ka ardhur, shteti ligjorë është në konsolidim, bashkimi me Shqipërinë nuk shitet më si dikur, prandaj çka duhet me pas si kauzë të madhe për ta kthyer shpresën tek qytetarët e Kosovës?... Ketë gjë nuk e ka të lehtë ta dijë as Burdushi, i cilin pati thënë se e vizitojnë shumë politikanë, sepse pothuajse janë harxhuar kauzat që e lumturojnë popullin. Loja e gjatë disa vjeçare e rivalëve politik nuk po ka më efekte elektrizuese si dikur, teksa një frymë e re, në fakt nuk është e re, por fraksione nga qasjet rivale, por me një dirigjent të sofistikuar, sidomos kur i shtohet fakti se ky dirigjent ka mbështetjen e segmenteve të caktuara ndërkombëtare, rezultatet janë të paevitueshme. E meqenëse ra fjala për rezultatet, atëherë çka mund të konsiderohet rezultat këtu?

Për dikë që synon me çdo kusht majat e pushtetit, rezultat mund të merret shqyerja e shpresave, për çka tanimë ka dëshmi se është arritur, por çka pas këtij rezultati, i cili e ka arritur pikën më të lartë, pra shpresat ua ka shqyer mbi gjysmës së qytetarëve votues dhe majat e pushtetit i ka mbërritur? Që t’u kthehen shpresat jo se jo, sepse nuk ka më kauza, por nëse mund t’u arnohen disi shpresat qytetarëve, mbase kjo edhe mund të konsiderohet sukses, së paku në këto vite të fillimit!!! E vështirë, shumë e vështirë, apo gati e pamundur... E vështirë sepse premtimet e mëdha, ndërsa punët deri me tani nuk përkojnë me premtimet. Shumë e vështirë sepse duhet qasje dhe vizion Euro-Amerikan, e punët nuk janë as për së afërmi në ketë linjë. Gati e pamundur, për faktin se duhet forcë dhe dije, e dija mungon në pothuajse në krejt digasteret qeverisëse, ndërsa forca për t’i thënë jo mikut më të madhe dhe më të mirë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose themeluesit të Kosovës moderne nuk është, atëherë mbetet vetëm një arnim i përkohshëm i shpresave tek qytetarët.

Po pra, kjo është gjetja më e saktë e kësaj formule politike, e cila nuk na çon larg, por na kthen serish tek niveli ku ishte shoqëria deri para disa vitesh. Dikush mund të pyes se cilat kanë qenë shpresat e qytetarëve për këto vite të pasluftës, por edhe kjo ka një përgjigje: shpresat kanë qenë shumëngjyrëshe, varësisht nga krahinat dhe komunat ka vinë qytetarët e vendit, ndërsa arni i shpresave tek mbi gjysmë e tyre është i kuqrremtë. Nga ana tjetër siç po duket në horizont, edhe ky arnim nuk do të jetë aq jetëgjatë, sepse ka ndeshje të shumta, të cilat e bëjnë jo të qëndrueshëm, prandaj mua më duhet një përgjigje, se çka do të ndodhë pas kësaj kohe. Kohën e shpresave, kohën e shpresave të zbehura, kohën e shpresave të shqyera, kohën e shpresave të arnuara, qe të gjitha i pamë, ndërsa si do të duket kohë me shpresa të rithyera, kjo mbetet për ta parë, edhe pse nuk është lehtë ta dimë se kur do të vij dhe nga kush të vij. Një gjë mund ta them me siguri se edhe harrimet sado të duken të mira, prapë se prapë janë arnime dhe nuk janë të mira, kështu që t’i mbjellim shpresat edhe një herë, qe të rritën shpresa të mira, por kësaj radhe në vend të duhur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat