Vendimi i qeverisë për heqjen e pagesave për studentët, i mirë për VV-në por rrënues për shkencën dhe universitetet e Kosovës

Kolumne

Vendimi i qeverisë për heqjen e pagesave për studentët, i mirë për VV-në por rrënues për shkencën dhe universitetet e Kosovës

Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më 18 shtator 2021 Në ora: 14:16
Albin Kurti

E çuditshme që në një vend demokratik dhe në kohën moderne, qeveria merr vendim ta kthejë një sistem të arsimi të lartë, madje edhe bachelor, edhe master ta bëjë komplet pa asnjë pagesë. Kjo i ndodhi shtetit tim, vendit që aspiron integrim në Bashkimin Evropian, derisa nuk ka asnjë vend anëtar me ketë qasje dhe ketë formë të shkollimit. Kjo i ndodhë me fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale dhe vetëm pak ditë pa filluar viti i ri akademik. Arsimi në Kosovë në përgjithësi është stërkequr tash e tri dekada, por viteve të fundit sikur filloi të ngrihej dhe në që jemi pjesë e proceseve si staf akademik po presim ngritje dhe zhvillim të mëtejmë, papritmas qeveria e vendit tim merr një vendim me dy efekte: njërin padyshim të mirë për partinë në pushtet, sepse kështu edhe një herë mund të mashtrohen qytetarët e vendit, ndërsa tjetrin fatal për shkencën dhe edhe të ardhmen e brezave të rinj.

Tani nëse vetëm pak ia vë gishtin tregues kokës, e këtu e kam fjalën për kryeministrin Albin Kurti, se ata tjerët tybe nuk guxojnë gishtin kokës me ia vënë pa u thënë ai, sigurisht se edhe pse tani mund dhe sigurisht se ju sjell leverdi elektorale partisë në pushtet, në afat më të gjatë edhe atyre ju sjell telashe dhe besa edhe rënie të nivelit të dijes sepse edhe ata dhe ato të pushtetit e me pushtetin pësojnë rënie si në cilësi, ashtu edhe në formim në përgjithësi, sepse jeta po ecën përpara dhe nëse nuk dalin kuadro studentët tanë nuk mund të gjejnë punë askund jashtë Kosovës, e besa vështirë edhe brenda shtetit, qofshin ata dhe ato të partisë pushtetare.

Kjo punë nuk do shumë mend, sepse gjërat që shihen është lehtë të lexohen. Nëse nuk paguajnë studentet, buxheti i universiteteve publike varet vetëm nga qeveria, dhe si rrjedhojë do të kemi universitete shtetërore e jo më publike dhe këtu kur nuk kemi buxhet, thjeshtë nuk bëhet më fjalë për shkencë. Studentët, qofshin të mirë apo të dobët do ta kryejnë edhe fakultetin edhe masterin, natyrisht nëse nuk ju ndodhë ndonjë aksident me i shkel autobusi dhe thjeshtë studentët do të pajisen me diploma. Kjo për faktin se kur universitetet nuk kanë buxhet, profesorët nuk paguhen për punët shtesë, si mentorimet, provimet pranuese e të tjera dhe ku nuk ka pagesë, paramendoj në shekullin 21 se sa mund të ketë punë? Thjeshtë ne do bëhemi se punojmë dhe studentët do bëhen se po mësojnë, ndërsa e ardhmja do të zymbet, pikërisht nga se bëhemi sikur.

Kështu pra do të duket e nesërmja jonë nëse nuk ngritemi ta kundërshtojmë secili me mjetet dhe format qe mundet, gjithnjë me idenë për ta shpëtuar të ardhmen pa e shkatërruar që tani. E habitshme, jo shumë kjo që bëri sot qeveria, sepse mbase këta qeveritarë, të rinj dhe të reja pa përvoja e besa edhe kurrfarë vizioni, edhe mund ta kenë marrë për detyrë një mision të tillë, që në secilën fushë ta degradojnë jetën në ketë vend, por ku po mbetemi ne të tjerët që nuk iu nënshtruam asnjë sistemi dhe asnjë regjimi. Kur flasim për “sukseset e tyre”, këtu shih shëndetësinë së pari, pastaj edhe sektorët tjerë, për ta kulmuar me vendimin për arsimin e lartë, por ajo që më habit dhe nuk po mund ta marrë me mend fare, se pse po heshtin pedagoget: këtu edhe ata me Albinin edhe ata kundër Albinit. Thjeshtë kjo për mua duhet të shihet si detyrë kombëtare që të mbrohet interesi nacional dhe duke u afruar me vendet e zhvilluar, të cilat kanë një arsim të zhvilluar dhe pse jo të ketë ngjashmëri me këto sisteme, e jo të veprohet komplet në drejtimin e kundërt, sepse përndryshe do të na gjykojnë brezat që vijnë. Paramendo që dikujt t’i kërkohet kualitet dhe suksese në njërën anë, ndërsa në anën tjetër t’ia degradosh pagesën? Kjo mbase edhe do të duartrokitet, sidomos nga grupet që nuk i përkasin as dijes dhe as arsimit, ku për fat të keq janë shumicë, por pse nuk e ngrisin zërin akademikët dhe personat që kanë përvoja në arsim. Kësaj pune duhet t’i thuhet mjaftë dhe ndal lojës me të ardhmen e brezave. Anomalitë dhe shërbesat ndaj padronëve nuk çojnë përpara drejt një të ardhme të mirë. Tek po përcjellja një debat në një studio televizive, aty ishte edhe zëvendës ministri I arsimit në Qeverinë Kurti 1, dhe ky person në njërën anë deklaronte se i ka shkruar dy letra kundër këtij vendimi, e në anën tjetër po ashtu pas pak sekondave thoshte se kjo përkon me premtimet e partisë në pushtet. Një hipokrizi totale, kurse loja po vazhdon…

Duke e parë se personat që dinë po heshtin, derisa personat që nuk dinë po flasin, punët po ecin si a ma zi siç thotë populli, prandaj mendoj se nëse nuk mund të ndryshojmë gjë ne që jemi pak në kundërshtim të degradimit të arsimit, duhet që jemi më të fuqishëm në kundërshtimin tonë dhe t'ua bëjmë me dije se nëse vazhdon ky trend i rënies së partisë në mbështetjen elektorale, kjo qeveri do t’i ulë edhe pagat në sektorin e arsimit të lartë por edh atë në përgjithësi. Një gjë e tillë edhe mund të ndodh me fillimin e vitit tjetër, por duhet të mësohemi të reagojmë në mbrojtje të interesave kombëtare, pra kur preket interesi i përgjithshëm e jo kur i prek në interesa personale, pra kur ua ul pagat. Jam i bindur se pastaj do të reagojnë shumica, ama vendi do të humb, sepse kemi pasur edhe më herët aventura me konotacione të tilla dhe si pasojë e këtyre lojërave jemi këtu ku jemi. Tanimë nuk kemi kohë të merremi me këso marifetesh, se shkon një Hashim e vjen një Albin, kjo edhe më tutje do të ndodhë, madje edhe anasjelltas, por nuk guxojmë t' lejojmë më ta prekin interesin vital të kombit këta aventurierë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat