Rusia e akuzuar në dy gjykata ndërkombëtare për krimet në Ukrainë

Kolumne

Rusia e akuzuar në dy gjykata ndërkombëtare për krimet në Ukrainë

Nga: Prof.Dr.Muhamedin Kullashi Më: 10 mars 2022 Në ora: 09:09

Me 7 mars u mbajt procedura gojore para GJND-së në Hagë në saje të akuzës së Ukrainës kundrejt Rusisë. Në fakt Ukraina akuzon Rusinë se e ka keqpërdorë konventën për pengimin dhe ndëshkimin e gjenocidit me qëllim që ta arsyetojë agresionin e vet ushtarak mbi Ukrainën. Duke njoftuar për hyrjen e trupave të veta në Ukrainë me 24 shkurt Putini kishte thënë se kësisoj dëshiron «të parapengoj një gjenocid në realizim e sipër » në Donbas (i banuar me një pakicë ruse), në lindje të Ukrainës. Kryetari i delegacionit të Ukraines A. Kornieviq theksoi se është fjala për « një gënjeshtër të tmerrshme» ; gënjeshtër kjo që ka për qëllim të maskoj krimet që ushtria e tij i bën çdo ditë në Ukrainë.

Do të shtonim se Putini manipulon këtu edhe me një realitet tjetër : me arsyetimin e tij ai mëton të denoncojë "kotësinë" e argumentit të fuqive perëndimore që ndërhynë në Kosovë për ta penguar një gjenocid të regjimit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Këtë pohim ai e ka shfaqur disa herë publikisht. Me cinizmin që e karakterizon ligjërimin politik të Putinit ai sikur don të nënvizoj : përse nuk ishte i vërtetë arsyetimi im për gjenocidin në Donbas nëse ju perëndimorët e arsyetuat kësisoj sulmin mbi një shtet sovran- Serbinë.

Përfaqësuesit e delegacionit të Ukrainës, sipas lajmeve të disa agjencive ndërkombëtare, ofruan të dhëna për përmasat e krimeve konkrete që ushtria rusi i bëri në disa qytete të mëdha të Ukrainës : shkatërrimet me bomba e raketa të universiteteve, spitaleve, kishave. Në pledojen e përfaqësuesit të Ukrainës se Rusia me agresionin e vet, përveç krimeve masive mbi civilët, dëshiron njëherazi ta njollosë kujtesën për Holokausitin e hebrenjve nga nazistët në Luftën e dytë botërore: në fakt ajo e arsyeton agresion e vet dhe krimet e veta me qëllimin që ta « denazifikojë Ukrainën»; ndërkaq vet kryetari i këtij shteti është hebre. Gënjeshtrat dhe cinizmi me temën e nazizmit dhe gjenocidit cilësojnë ligjërimin zyrtar të Moskës.

Oksana Zolotaryova, ofroi të dhëna të dokumentuara të krimeve të luftës dhe të krimeve mbi njerëzimin në disa qytete të Ukrainës. Rusia, shtoi ajo ,duhet ta kuptoj se e drejta ndërkombëtare ka peshë dhe ka vlerë në botën e sotme.

Rusia nuk dërgoj përfaqësuesit e vet në këtë procedurë orale. gjenocidi. Një anëtar tjetër i delegacionit ukrainas Aleksandre Koh, profesor në Universitetin Yale nënvizoi se derisa « loja e Putinit mbështetet mbi forcën, për botën në perspektivën afatgjate duhet të jetë e drejta. » Ai theksoi, duke u drejtuar 16 gjyqtarëve, se roli i GJND-së karshi këtyre ngjarjeve është i rëndësishëm për vet sistemin e Kombeve të bashkuara.

Ndërkaq me 2 mars prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan njoftoi se kjo Gjykatë ka hapur një hetim të menjëhershëm për gjendjen në Ukrainë pasi që 39 shtete anëtare të kësaj Gjykate kishin ofruar të dhëna për krimet e luftës dhe krime kundër njerëzimit që trupat ruse kishin kryer mbi popullsinë civile në Ukrainë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat