Pse zgjedhjet lokale janë me shumë rëndësi për Albin Kurtin

Kolumne

Pse zgjedhjet lokale janë me shumë rëndësi për Albin Kurtin

Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më 7 tetor 2021 Në ora: 17:20
Albin Kurti

Është kohë zgjedhjesh dhe edhe pse zgjedhje lokale, që nuk i bie të jetë vet pjesë e betejës, Albin Kurti e ka me rendësi jetike ketë herë fitoren në sa më shumë komuna. Kjo mbase duket jo edhe aq me ngulm, sepse sivjet janë mbajtur zgjedhjet nacionale dhe rezultati ishte edhe më larg se imagjinata e vetë Kurtit dhe lëvizjes së tij, pra mbi gjysma e elektoratit i besuan atij dhe natyrisht se i ka para vetes katër vjet, kuptohet me ligj, sepse nëse nuk është mbushur mend siç thotë populli, ai edhe mund të rrëzohet, siç ka ndodhur edhe me të, por edhe me qeveri të tjera. Thënë troç, kjo qeveri e ka mundësinë për ta përfunduar mandatin, sepse i ka numrat, mirëpo nuk duhet harruar faktin se presionet nga mekanizmat ndërkombëtarë janë të shumta, sidomos në lidhje ne marrëveshjen me Serbinë, prandaj nëse Albin Kurti tenton të qëndrojë në pozicionet e vjetra të tija, pa asnjë dilemë se do t’i rrëshqas mandati dhe do të bie nga pushteti. Në hapat e parë ai ka ndryshuar, madje ka ndryshuar krejt dhe për më keq, Kurti kësaj radhe ka bërë një gabim dhe e ka dëmtuar në thelb çështjen e Kosovës në raport me Serbinë. Kjo qasje e tij edhe mund t’ia sigurojë një qeverisje edhe për disa vjet, sepse faktorët ndërkombëtarë nuk e ngacmojnë, kurse faktori politik i brendshëm është i përgjumur dhe krejt i dorëzuar para tij, prandaj edhe mund të ndihet komod Kurti. Në të kundërtën, Kurti vetë mund ta humb pushtetin.

Se si po shkon puna me qeverisjen e tij, jemi dëshmitarë për këta muaj të qeverisjes së VV-së me V-në e presidentes dhe V-në e virusit COVID 19, për çka kësaj radhe nuk do të merremi, mirëpo të kalojmë te zgjedhjet dhe rëndësia jetike e këtyre zgjedhjeve për Albin Kurtin dhe VV-në e tij, pa V-në e Presidentes.

Janë zgjedhje lokale dhe fituesi do të qeverisë me komunat e Kosovës, mirëpo mbahen vetëm disa muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale dhe nëse VV do t’i humb këto zgjedhje, padyshim se do ta rriste rolin e opozitës dhe do ta zbehte rolin e Albin Kurtit. Kjo mbase është pika e parë, për të cilën besoj se secili që merret me politikë mund ta marrë si të qenë, por problemi del dhe bëhet edhe më delikat, kur dihet se Kurti ka ardhur në pushtet me një kampanjë sharjesh, fyerjesh dhe akuzash për partitë e vjetra, siç i quan ai dhe Kurtët e tij, mirëpo dallimi i tij me ata të “vjetrit” nuk është i madh, ose për më keq, këta të rinjtë e Albinit janë më të dobët edhe në qeverisje, e dorën në zemër edhe në politikat strategjike, prandaj një organizim i opozitës do të mund ta gjunjëzojë Albin Kurtin dhe qeverinë e tij, e cila vuan nga mundësia e madhe e njerëzve me përvoja. Tani, si duket situata politike në terren, sa i përket mbështetjes elektorale. Bazuar në disa sondazhe të pavarura, por edhe në disa sondazhe të vetë partisë në pushtet, VV nuk ka çka lyp në Pejë, sepse LDK duket se fiton pa balotazh, në Gjilan po ashtu, sikur edhe në Lipjan dhe disa komuna të vogla.

Nga ana tjetër, Ferizaj duket se sërish do t’i mbetet PDK-së, sikur edhe Drenasi, kurse edhe në Mitrovicë kjo parti, nëse mbështetemi te sondazhet, do të fitojë. Prizreni dhe Prishtina, të cilat janë dy qytetet më të mëdha, mbeten me të panjohura, ku VV duket se ka një epërsi, e cila nuk iu siguron pushtetin, ngase balotazhet mund ta përmbysin rezultatin e raundit të parë. Prishtina, së pari ka një garë të fortë, ku secila parti ka kandidatët e fortë, ndërsa për LDK-në kandidon me një arkitekt me famë ndërkombëtare dhe ky njeri ka sjellë ide konkrete për kryeqytetin.

Pra nuk duhet mohuar as rolin e kandidatit të PDK-së, e besa as të AAK-së, të cilët janë shansi potencial për ta mbështetur në balotazh kandidatin e LDK-së Përparim Rama, sepse edhe logjika e thotë ngase janë opozitë të gjitha partitë, mirëpo edhe Kurti i ka shpallur si garda e vjetër dhe i ka deklaruar si të bashkuar. Dorën në zemër, Prishtina është më shumë se një komunë edhe politikisht edhe në konceptet strategjike të partive politike, ndërsa humbja e Prishtinës do të ishte një grusht i madh për VV-në dhe Albin Kurtin.

Sido qe të jetë, VV për këta muaj nuk ka mundur ta dëshmojë veten se nuk di të qeverisë dhe vazhdon ta ketë mbështetjen e madhe, kjo edhe falë përçarjes që i bëri Kurti popullit, përndryshe Arben Vitia i ka dhënë opinionit dëshmi të bollshme se si keq qeveriset, herën e parë duke lënë të vritej studenti, ndërsa herën e dytë duke mos i pajisur me vaksina popullin dhe duke i lënë të vdesin mijëra persona.

Prizreni po ashtu paraqet një rendësi jo të vogël, ndërsa atje kemi një kandidat që para katër vitesh ishte bindshëm para kryetarit Haskuka, mirëpo koalicionet e përmbysën kandidatin e PDK-së, ndërsa kësaj radhe Haskuka është parë se si qeverisë, pra për faqe të zezë. Logjika e thotë se edhe në ketë qytet në balotazh do të fitojë kandidati Totaj i PDK-së.

krejt kjo nëse do të shikohet me qetësi dhe racionalizëm, por edhe në bazë të sondazheve del se VV ka rrezik të mos e fitojë asnjë komunë, madje as Podujevën, të cilën e pati fituar pa balotazh kandidati i VV-së, një tugjar i cili për vite i kishte shërbyer LDK-së, por vetëm e ndërroi lëkuren dhe nga krahu u djathtë u bë i majtë. Sido qe të jetë, është në dorën e vetë qytetarëve nëse duan ta dënojnë apo ta shpërblejnë Albin Kurtin, për krejt marifetet e tij që i ka bërë dhe po ua bën shqiptarëve të Dardanisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat